Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot se Qeveria do t'i kompensojë qytetarët që pësuan dëme nga stuhia që goditi Shkupin.
Ai tha se sa u përket dëmshpërblimeve për qytetarët që pësuan dëme nga stuhia e ndodhur, komunat dhe institucionet komunale po formojnë komisione.
"Qytetarët që kanë pësuar dëme duhet t'i raportojnë ato pranë komisioneve përkatëse. Këto komisione do të kryejnë një vlerësim dhe do t'ia përcjellin gjetjet Qeverisë përmes Komitetit për Vlerësimin e Dëmeve; më pas, në përputhje me ligjin dhe praktikën e vendosur, ne do të ndërhyjmë dhe do të ofrojmë kompensim për qytetarët që kanë raportuar dëme", tha Mickoski.
Kryeministri Mickoski u bëri thirrje qytetarëve që kanë pësuar dëme t'i raportojnë ato, në mënyrë që një komision të dalë në terren për t'i vlerësuar dhe "ne, si Qeveri, të marrim një specifikim të dëmeve për të ofruar kompensim".
















