Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot e riafirmoi mbështetjen e Francës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GjNP) gjatë bisedimeve me Zëvendësprokurorin e GjNP-së Mame Mandiaye Niang, tha Ministria e Jashtme të mërkurën.
Sipas ministrisë, Barrot dhe Niang diskutuan aktivitetet hetimore dhe prokuroriale të Zyrës së Prokurorit, të cilat ministria i përshkroi si "jetike për ta luftuar pandëshkueshmërinë për krimet më të rënda ndërkombëtare".
Barrot përsëriti "mbështetjen e plotë" të Francës për GjNP-në, duke e quajtur atë "tribunalin e vetëm ndërkombëtar penal të përhershëm në botë me një mision universal" dhe "një shtyllë të sistemit ndërkombëtar të drejtësisë penale".
Ai tha gjithashtu se "çdo lloj kërcënimi ose mase ndëshkuese" kundër gjykatës, shteteve të saj palë, stafit ose organizatave të shoqërisë civile që mbështesin punën e saj ishte "e papranueshme".
Ministri iu referua thirrjeve të mëparshme të Francës drejtuar ShBA-së për t'i tërhequr sanksionet e vendosura sipas Urdhrit Ekzekutiv 14203, të nënshkruar më 6 shkurt 2025, duke thënë se masat "përbëjnë një sulm ndaj Gjykatës dhe të gjitha Shteteve Palë në Statutin e Romës" dhe janë "në kundërshtim me parimin e pavarësisë gjyqësore".
Barrot gjithashtu riafirmoi angazhimin e Francës për të siguruar që GjNP-ja dhe stafi i saj të mund të vazhdojnë ta kryejnë misionin e tyre "në një mënyrë që është si e pavarur ashtu edhe e paanshme", sipas ministrisë.




















