Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të enjten se një marrëveshje për bashkëpunim bërthamor me Arabinë Saudite do të jetë e kushtëzuar me anëtarësimin e Riadit në Marrëveshjet e Abrahamit.
“Marrëveshja civile bërthamore (nuk do të ketë pasurim të materialit!) që po bëhet ndërmjet Departamentit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, e cila lidhet vetëm me përdorimin joushtarak, si marrëveshjet që Irani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (dhe të tjerët) tashmë i kanë, do të miratohet”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump tha se marrëveshja “është tërësisht e kushtëzuar nga anëtarësimi i Arabisë Saudite në Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat janë shumë të respektuara dhe të suksesshme”, duke shtuar se ShBA-ja “nuk është kundër centraleve civile bërthamore (pa pasurim të materialit)”.
Marrëveshjet e Abrahamit janë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të nënshkruara mes Izraelit dhe disa vendeve me shumicë myslimane gjatë mandatit të parë të Trumpit. Aktualisht, katër vende i janë bashkuar këtyre marrëveshjeve të paqes: Bahrejni, Maroku, Sudani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Më herët gjatë së enjtes, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se marrëveshja do t’i nënshtrohet miratimit të Kongresit dhe do të përmbajë masa mbrojtëse.
“Çdo marrëveshje që do të bëjmë me cilindo vend në botë për energjinë civile bërthamore do të jetë një marrëveshje që do të ketë masa mbrojtëse, për të garantuar që ajo të mos mund të shndërrohet në një program armësh”, u tha Rubio gazetarëve në Filipine.
Departamenti amerikan i Energjisë tha të mërkurën se ShBA-ja dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit bërthamor.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, dhe ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim bërthamor paqësor, e njohur zakonisht si Marrëveshja 123, së bashku me një marrëveshje dypalëshe për masat mbrojtëse, bëri të ditur agjencia në një deklaratë.




















