| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëri, e lënduara nga zjarri në një hotel në Vlorë dërgohet në Türkiye për trajtim
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, e cila në një reagim në rrjetet sociale ka theksuar se falë bashkëpunimit me autoritetet turke, kanë bërë të mundur transferimin e pacientes drejt Türkiyes.
Shqipëri, e lënduara nga zjarri në një hotel në Vlorë dërgohet në Türkiye për trajtim
Shqipëri, e lënduara nga zjarri në një hotel në Vlorë dërgohet në Türkiye për trajtim/ Foto: RTSh

Një shtetase shqiptare, e cila u lëndua si pasojë e zjarrit të rënë në hotelin ku po qëndronte për pushime në Vlorë, është nisur për trajtim të specializuar në Türkiye.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka konfirmuar se pas përfundimit të të gjitha procedurave mjekësore dhe administrative, në bashkëpunim dhe koordinim me Ambasadën e Türkiyes në Tiranë dhe autoritetet shëndetësore turke, pacientja do të vijojë trajtimin e specializuar në një spital në Türkiye.

"Pacientja 25-vjeçare, A. D., e cila dy ditë më parë pësoi djegie në rreth 85 për qind të sipërfaqes së trupit, si pasojë e zjarrit të rënë në hotelin ku po qëndronte për pushime, është nisur për trajtim të specializuar në Türkiye", thuhet në njoftim e ministrisë.

Gjithashtu thuhet se shpenzimet për trajtimin e pacientes në fjalë në Türkiye do të mbulohen nga shteti shqiptar.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Albana Koçiu, e cila në një reagim në rrjetet sociale ka theksuar se falë bashkëpunimit me autoritetet turke, kanë bërë të mundur transferimin e pacientes drejt Türkiyes, ku sipas saj do të vijojë trajtimin në një spital të specializuar.

Më 16 gusht një zjarr përfshiu një hotel në Vlorë. Si pasojë e zjarrit mbetën të lënduar gjashtë persona, shumica prej tyre shtetas të Kosovës.

Sipas autoriteteve shqiptare, paraprakisht dyshohet se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e një prize elektrike, ndërkohë që hetimet për ngjarjen vazhdojnë.