Kryeministri i Irakut, Ali al-Zaidi, ka deklaruar se Bagdadi nuk do ta lejojë kurrë përdorimin e territorit irakian për të kërcënuar Iranin, duke riafirmuar angazhimin e vendit të tij për bashkëpunim në fushën e sigurisë me Teheranin.
Duke folur në një takim të përbashkët të delegacioneve të larta iraniane dhe irakiane në Teheran, al-Zaidi tha se Iraku nuk do të pranojë veprime armiqësore kundër Iranit nga asnjë palë.
“Iraku nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen e Iranit në luftën kundër grupit terrorist DEASh”, tha ai, sipas një deklarate të zyrës presidenciale iraniane.
Presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, nga ana e tij, tha se një plan gjithëpërfshirës për bashkëpunim strategjik do të shërbejë si udhërrëfyes për zgjerimin e marrëdhënieve mes Teheranit dhe Bagdadit, duke theksuar se siguria e dy vendeve fqinje është e lidhur ngushtë.
Pezeshkian bëri thirrje për zbatimin e shpejtë të marrëveshjeve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturor dhe të sigurisë.
Ai tha se vendet e rajonit duhet ta lehtësojnë lëvizjen e njerëzve, tregtinë dhe investimet “mbështetur në lidhjet e tyre të përbashkëta historike, kulturore dhe fetare”.
Presidenti iranian tha se Teherani ka nisur zhvillimin e lidhjeve të transportit me vendet fqinje dhe shpreson që Iraku t’i bashkohet këtij rrjeti për krijimin e një sistemi të integruar transporti që do ta nxisë tranzitin, investimet, tregjet e përbashkëta dhe zhvillimin e porteve.
Ai theksoi se pasiguria në njërin prej vendeve do të ndikonte drejtpërdrejt në tjetrin, duke e nënvizuar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Pezeshkian bëri gjithashtu thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjes së sigurisë Iran-Irak, veçanërisht për pastrimin e zonave kufitare nga grupet e armatosura kundër Iranit, duke theksuar se Teherani preferon që kjo çështje të zgjidhet përmes bashkëpunimit dhe mjeteve paqësore.
Gjatë vizitës zyrtare të al-Zaedit në Teheran, zyrtarë të lartë të të dy vendeve nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi dhe memorandume mirëkuptimi në prani të dy liderëve.
Dokumentet përfshinin një marrëveshje për transportin rrugor të mallrave, një memorandum për ndërtimin e hekurudhës Khosravi-Khanaqin-Bagdad, një marrëveshje për binjakëzimin e qyteteve Teheran dhe Bagdad, si dhe një memorandum për administratën publike, trajnimin dhe burimet njerëzore.
Al-Zaidi u takua me Pezeshkian të enjten më herët gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Iran që prej marrjes së detyrës në muajin maj.
Zyra për media e kryeministrit irakian bëri të ditur se dy liderët zhvilluan një takim dypalësh, pa dhënë detaje të tjera.




















