Kuvajti ka njoftuar se në mbrëmje se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore po interceptojnë raketa dhe dronë iranianë që synojnë territorin e vendit.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë kuvajtiane tha se vendi po përballet me sulme “armiqësore” me raketa dhe dronë si pjesë e sulmeve iraniane kundër Kuvajtit.
Ai tha se çdo zhurmë shpërthimi e dëgjuar në mbarë vendin është rezultat i operacioneve të interceptimit të kryera nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Ushtria u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve t’i respektojnë udhëzimet e sigurisë dhe mbrojtjes të lëshuara nga autoritetet.
Sulmet e fundit ndodhën pasi Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) më herët pretenduan se kishin goditur objekte ushtarake amerikane në Kuvajt, përfshirë Bazën Ajrore Ali Al Salem dhe kampin Udairi.
Autoritetet kuvajtiane thanë gjithashtu se pika kufitare Abdali, në veri të vendit, ishte shënjestruar dy herë me dronë, duke shkaktuar dëme materiale, por pa viktima.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit në muajin shkurt, duke e nxitur Teheranin të kryejë sulme me raketa dhe dronë ndaj objekteve ushtarake amerikane të vendosura në vende të rajonit.
ShBA-ja dhe Irani nënshkruan muajin e kaluar një memorandum mirëkuptimi, të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme, por tensionet u përshkallëzuan sërish javën e kaluar për shkak të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.




















