| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Ambasadori turk në Tiranë: Türkiye dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie shumë të veçantë
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e kampusit të UNYT-së ishin të pranishëm drejtues të institucioneve turke, ambasadorë, drejtues të universitetit, pedagogë dhe studentë.
Ambasadori turk në Tiranë: Türkiye dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie shumë të veçantë
Ambasadori turk në Tiranë: Türkiye dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie shumë të veçantë

Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, ka organizuar ceremoninë për fillimin e vitit të ri akademik 2026-2027. Në ceremoninë e organizuar në ambientet e kampusit të UNYT-së ishin të pranishëm drejtues të institucioneve turke, ambasadorë, drejtues të universitetit, pedagogë dhe studentë.

Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, në fjalën e tij në ceremoni u shpreh se arsimi ka të bëjë edhe me ndërtimin e urave midis njerëzve, promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe sipas tij krijimin e miqësive të qëndrueshme.

"Türkiye dhe Shqipëria gëzojnë një marrëdhënie shumë të veçantë, të rrënjosur thellë në historinë tonë të përbashkët, lidhjet kulturore dhe lidhjet e forta midis popujve tanë. Sot, si aleatë të NATO-s dhe partnerë strategjikë, ne vazhdojmë ta forcojmë bashkëpunimin tonë në shumë fusha, dhe arsimi zë një vend veçanërisht të rëndësishëm në këtë partneritet", tha ambasadori Erciyes.

Ambasadori turk shtoi se është i kënaqur me arritjet e Fondacionit Maarif në Shqipëri dhe theksoi se fondacioni ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në arsimin në Shqipëri.

Ambasadori Erciyes tha se beson fuqimisht se investimi në arsim është një nga investimet më të mira që mund të bëjnë për të ardhmen e marrëdhënieve turko-shqiptare.

Administratori i UNYT-së, Muhammed Enes Durmus, foli për arritjet e universitetit dhe realizimin e aktiviteteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

"Kur kultura arsimore turke dhe ajo shqiptare ndërthuren me standardet ndërkombëtare dhe me kontributin e kolegëve të përkushtuar në arsimin e lartë, suksesi është një rezultat i pashmangshëm. Besoj se si universiteti i parë privat në Shqipëri, ne e kemi ngritur stekën në një nivel mjaft të lartë. Jam i sigurt se këtë vit arritjet do të jenë edhe më të mëdha", u shpreh Durmus.

Rektori në detyrë i UNYT-së, prof. asoc Ilir Kalemaj, theksoi se që në fillim ideja ishte e thjeshtë dhe ambicioze, sipas tij, për të realizuar një arsimim të nivelit botëror në gjuhën angleze në Tiranë.

"Sot ne ofrojmë me krenari programe në nivelet Bachelor, Master, madje edhe Doktoraturë, në fakultetet e Ekonomisë dhe Biznesit, Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, si dhe Inxhinierisë dhe Arkitekturës", tha Kalemaj.

Kalemaj theksoi se qëllimi i fondacionit Maarif është ta bëjë UNYT-në edhe më të vendosur për t'i mbështetur studentët e talentuar shqiptarë dhe për të investuar për të ardhmen.

Viti i ri akademik 2026-2027 në Shqipëri, në universitetet publike dhe private të vendit filloi më 5 tetor

Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT) është universiteti i parë privat në Shqipëri, themeluar në vitin 2002, me mësimdhënie tërësisht në gjuhën angleze. Që prej vitit 2018, universiteti është pjesë e Fondacionit Turk Maarif.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë