Një grup prej 15 mediash, shoqatash gazetarësh dhe organizatash për lirinë e shtypit i kërkuan sot presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të përmirësojë qasjen e gazetarëve në dokumentet publike ndërsa Avokatja e Popullit të Bashkimit Evropian po heton refuzimin e KE-së për të publikuar dokumente lidhur me Rripin e Gazës.
Në një letër të hapur drejtuar Von der Leyen, organizatat i kërkuan ekzekutivit të BE-së të trajtojë atë që e përshkruan si një “krizë të heshtur”, e cila ka penguar përpjekjet e gazetarëve për të siguruar informacionin e nevojshëm për të shqyrtuar çështje me rëndësi publike.
Kjo thirrje vjen pasi Avokatja e Popullit të BE-së, Teresa Anjinho, javën e kaluar nisi hetim lidhur me ankesën e një medie për refuzimin e KE-së për të publikuar 17 dokumente që kanë të bëjnë me projektet e infrastrukturës në Rripin e Gazës të financuara nga BE-ja.
EUobserver i kishte kërkuar fillimisht dokumentet në shkurt, në kuadër të një hetimi që shqyrtonte shkallën në të cilën sulmet izraelite kishin shkatërruar infrastrukturën e financuar nga BE-ja në territorin palestinez. KE-ja refuzoi publikimin e materialeve, duke argumentuar se nuk kishte interes publik mbizotërues që të justifikonte bërjen e tyre publike. Ankesa e mëvonshme e EUobserver mbeti pa përgjigje.
Si hap të parë në hetimin e saj, Anjinho i ka kërkuar KE-së t'i përgjigjet ankesës jo më vonë se më 4 nëntor. Nëse ekzekutivi i BE-së nuk jep përgjigje të kënaqshme, ajo do t'i shqyrtojë vetë dokumentet.
Në këtë kontekst, 15 organizatat i kërkuan KE-së të angazhohet për më shumë transparencë, duke thënë se gazetarët përballen rregullisht me vonesa të mëdha në marrjen e dokumenteve, refuzime të dyshimta dhe redaktime të gjera që i bëjnë materialet e publikuara kryesisht të padobishme.
Në disa raste, sipas tyre, KE-ja nuk arrin të ruajë dhe arkivojë siç duhet dokumente thelbësore. “Anembanë Evropës, debati publik po dëmtohet. Historitë që duhet të bëhen publike nuk dalin në dritë. Qytetarët nuk mund të marrin vendime të rëndësishme politike në momente vendimtare”, thuhet në letër.
Nënshkruesit i kërkuan KE-së të shfuqizojë rregullat e brendshme të procedurës të dhjetorit 2024, të cilat, sipas tyre, e kanë vështirësuar qasjen në dokumente si dhe të sigurojë zbatimin e rreptë të rregullores për qasjen e publikut në dokumentet e BE-së.
Nënshkruesit përfshinin Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, EUobserver, Federatën Evropiane të Gazetarëve, Follow the Money, Forbidden Stories, Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve, Institutin Ndërkombëtar të Shtypit, Investigate Europe dhe PEN International.























