Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Vatikan, ndërkohë është pritur nga Papa Leoni.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se në takim u vunë në dukje "marrëdhëniet e shkëlqyera me Selinë e Shenjtë", procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe kontributi shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajon.
"Gjatë bisedës, një vëmendje e veçantë iu kushtua besimit, persekutimit të klerikëve dhe besimtarëve të krishterë në periudhën e komunizmit në Shqipëri. Shqipëria, theksoi presidenti Begaj, ka vuajtur në mënyrë të tmerrshme nga ndalimi i besimit gjatë regjimit komunist. Kreu i shtetit u shpreh se në atë periudhë, por dhe në shekuj më të hershëm, shqiptarët e kanë ruajtur në shpirt besimin në Zot dhe e kanë ushtruar atë duke rezistuar me qëndresë deri në martirizim", thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se presidenti Begaj ftoi Papa Leonin XIV për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri.
Presidenti i Begaj zhvilloi një takim edhe me Kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, ku u diskutuan zhvillimet ndërkombëtare "me vëmendje të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë".
"Gjithashtu, në takim u diskutua dhe për Kosovën dhe zgjidhjen nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të çështjeve të hapura në rajon si dhe rëndësinë e integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor", thekson njoftimi.























