| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Estonia zhvendos trupat më pranë Rusisë në përgatitje për mbrojtje aktive
Vendi zhvendos një njësi kyç ushtarake dhe zgjeron kapacitetet për sulme me rreze të gjatë.
Estonia zhvendos trupat më pranë Rusisë në përgatitje për mbrojtje aktive
Estonia zhvendos trupat më pranë Rusisë në përgatitje për mbrojtje aktive/ AA

Estonia po zhvendos njësi ushtarake më pranë kufirit me Rusinë dhe po i zgjeron kapacitetet për sulme me rreze të gjatë, në kuadër të një strategjie të re të “mbrojtjes aktive”, raportoi të hënën Financial Times, sipas transmetuesit ERR.

Brigada e Parë e Forcave të Mbrojtjes së Estonisë po zhvendoset përgjithmonë nga Tapa në Johvi, rreth 50 kilometra nga kufiri me Rusinë.

Në Johvi po ndërtohen objekte të reja për ta akomoduar brigadën.

Estonia po ndërton gjithashtu një bazë ushtarake në Narva, qytet pranë kufirit me Rusinë, me kapacitet për deri në 1.000 trupa në rast krize.

Zyrtarët estonezë të ushtrisë dhe inteligjencës i thanë të përditshmes financiare se nuk presin që Rusia të nisë një luftë në shkallë të gjerë me NATO-n gjatë dy viteve të ardhshme, por po përgatiten për një konflikt të mundshëm në të ardhmen dhe janë të shqetësuar për një operacion të mundshëm në shkallë të kufizuar kundër Estonisë.

Estonia ka nënshkruar kontrata për nëntë sisteme raketashhedhëse HIMARS të prodhimit amerikan, përfshirë raketa me rreze veprimi deri në 300 kilometra, dhe po blen gjithashtu nëntë sisteme Chunmoo të Koresë së Jugut me rreze të ngjashme veprimi, thuhet në raport.

Shpenzimet e mbrojtjes së Estonisë pritet të rriten me 42 për qind këtë vit, në 2,4 miliardë euro (2,8 miliardë dollarë), ose 5,4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.