Para fillimit të seancës parlamentare, një numër qytetarësh kanë protestuar që nga orët e hershme të së hënës para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në kuadër të iniciativës “Jo në emrin tim”, me kërkesë që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara.
Iniciativa u ka bërë thirrje qytetarëve të mblidhen nga ora 08:00, kohë kur mblidhet edhe Komisioni për Legjislacion, i cili do ta shqyrtojë këtë projektligj.
Ndërkaq, në orën 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku shqyrtimi i parë i projektligjit është pika e parë e rendit të ditës.
Po ashtu, në orën 09:00, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka paralajmëruar protestë para Kuvendit, me kërkesën që deputetët të votojnë ndryshimet ligjore.
Në njoftimin e djeshëm të kësaj organizate thuhet: “... në ora 09:00, shihemi në shesh, para Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk duam favore. Duam mbrojtje shtetërore”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se pret që gjatë së hënës të votohet në dy lexime ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara. Pas mbledhjes së kryesisë së PDK-së bashkë me grupin parlamentar, të dielën, në deklarimin për shtyp Hamza nuk ka treguar nëse janë dakorduar me Vetëvendosjen që të tejkalohen procedurat e parapara me rregullore të Kuvendit dhe projektligji të votohet të hënën në të dyja leximet.
PDK-ja ka kushtëzuar mbështetjen e saj për votimin e presidentit të ri me mbështetjen që duhet nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, për miratimin e projektligjit për Gjykatën Speciale.
Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 6 tetor ta zgjedh presidentin e ri, ndryshe, vendi do të shkojë në zgjedhe të jashtëzakonshme parlamentare.


























