| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Ndërprerjet e transportit në Ngushticën e Hormuzit rritin çmimet globale të ushqimeve
"Çmimet botërore të mallrave ushqimore u rritën në prill për të tretin muaj radhazi për shkak të kostove të larta të energjisë dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Afërt", tha FAO-ja.
Ndërprerjet e transportit në Ngushticën e Hormuzit rritin çmimet globale të ushqimeve
Ndërprerjet e transportit në Ngushticën e Hormuzit rritin çmimet globale të ushqimeve / AA

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën për të tretin muaj radhazi në prill, të nxitura kryesisht nga çmimet më të larta të vajit vegjetal dhe rritjet në kuotat e drithërave dhe orizit për shkak të kostove të larta të energjisë, tha sot Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), transmeton Anadolu.

"Çmimet botërore të mallrave ushqimore u rritën në prill për të tretin muaj radhazi për shkak të kostove të larta të energjisë dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Afërt", tha agjencia në një deklaratë.

Indeksi i çmimeve të ushqimeve të FAO-së ishte mesatarisht 130.7 pikë në prill, 1.6 për qind më shumë nga niveli i rishikuar i marsit dhe 2 për qind më i lartë se një vit më parë. Indeksi i çmimeve të vajit perimor të FAO-së u rrit me 5,9 për qind nga marsi në nivelin e tij më të lartë që nga korriku 2022, i mbështetur nga çmimet më të larta të vajit të palmës, sojës, lulediellit dhe rapesë.

Kryeekonomisti i FAO-së, Maximo Torero tha se sistemet globale agroushqimore vazhduan të tregonin qëndrueshmëri pavarësisht ndërprerjeve të lidhura me krizën e Ngushticës së Hormuzit ndërsa vajrat vegjetalë u përballën me rritje më të forta të çmimeve kryesisht për shkak të çmimeve më të larta të naftës dhe kërkesës më të fortë për biokarburant.

Indeksi i çmimeve të drithërave i FAO-së u rrit me 0,8 për qind nga muaji në muaj, duke reflektuar çmimet më të larta të grurit dhe misrit ndërsa Indeksi i çmimeve të orizit për të gjitha produktet u rrit me 1,9 për qind dhe çmimet e naftës bruto si dhe derivateve rritën kostot e prodhimit dhe marketingut në vendet eksportuese të orizit.

Indeksi i çmimeve të mishit i FAO-së arriti rekord të ri në prill, duke u rritur me 1,2 për qind nga marsi dhe 6,4 për qind nga viti në vit, i udhëhequr nga çmimet më të larta të mishit të gjedhit. Indeksi i çmimeve të produkteve të qumështit ra me 1,1 për qind nga marsi ndërsa indeksi i çmimeve të sheqerit ra me 4,7 për qind, i shtyrë nga pritjet për furnizime të bollshme globale.

FAO-ja e rriti parashikimin e prodhimit global të drithërave për vitin 2025 në 3,04 miliardë tonë, 6 për qind më shumë se një vit më parë ndërsa rishikoi parashikimin e saj të prodhimit të grurit për vitin 2026 pak më të ulët në 817 milionë tonë.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë