Konferenca Rajonale Ministrore me temë "Udhëheqja e ndryshimit - rrugë të përqendruara te njerëzit për qëndrueshmëri demografike" po vazhdon me panele të ndryshme në Shkup.
Në konferencën dyditore, e organizuar nën patronazhin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë të Maqedonisë së Veriut dhe Fondin e OKB-së për Popullsinë (UNFPA), u mbajt paneli me temë "Fuqizimi i njerëzve: Kapitali njerëzor, politika miqësore ndaj familjes, plakje e shëndetshme dhe aktive".
Zv/ministrja për Familjen dhe Shërbimet Sociale e Türkiyes, Sevim Sayim Madak, në fjalimin e saj në panel kujtoi se viti 2025 është shpallur Viti i Familjes me qëllim forcimin dhe zgjerimin e politikave të orientuara drejt familjes.
"Ka nevojë për politika afatgjata dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst, periudha 2025-2035 është shpallur Dekada e Familjes dhe Popullsisë", tha Madak.
Duke folur për politikat miqësore ndaj familjes së Türkiyes, Madak theksoi se synojnë të trajtojnë në mënyrë proaktive rreziqet potenciale dhe të ofrojnë shërbime parandaluese përmes sistemit të këshillimit familjar.
Madak tha se në Türkiye ofrohet mbështetje financiare për të rinjtë e moshës 18-29 vjeç që përgatiten për martesë, ndërsa leja e lindjes është rritur nga 16 në 24 javë.
Zv/ministrja për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët e Bosnjës e Hercegovinës, Dushka Jurishiq, gjithashtu theksoi se në Ballkanin Perëndimor ekzistojnë shumë dallime, por se "ekziston një qëndrim i përbashkët dhe ai është se po merremi me problemet demografike".
Ministri i Personave të Zhvendosur nga Territoret e Okupuara, Punës, Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale i Gjeorgjisë, Mikheil Sarjveladze, tha se trendet demografike në Gjeorgji i shohin jo vetëm si sfidë, por edhe si mundësi për ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.
Zv/ministri i Punës, Sigurimeve Sociale dhe Migracionit i Kirgistanit, Kamçibek Dosmatov, nga ana tjetër, deklaroi se vendi i tij ndodhet në një fazë të tranzicionit demografik, të karakterizuar me përqindje të lartë të popullsisë në moshë pune dhe fillimin e plakjes graduale të shoqërisë.
Në konferencën, e cila do të përfundojë nesër, po organizohen panele me pjesëmarrjen e ministrave dhe zv/ministrave nga shumë vende, veçanërisht nga rajoni.





















