Italia ka nisur Koalicionin e Romës për Qasjen ndaj Plehrave Kimike dhe Sigurinë Ushqimore, së bashku me Kroacinë dhe rreth 40 vende e organizata ndërkombëtare, me synimin për t’i forcuar zinxhirët global të furnizimit me ushqim në kushtet e ndërprerjeve të lidhura me paqëndrueshmërinë rreth Ngushticës së Hormuzit.
Nisma u shpall pas një takimi ministror në Romë, të bashkëdrejtuar nga ministri i italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, dhe homologu i tij kroat, Gordan Gërliq-Radman, që mban presidencën e radhës së aleancës MED9.
Në takim morën pjesë Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në një deklaratë të përbashkët, njofton Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë, bashkëdrejtuesit thanë se ekziston “një mirëkuptim i përbashkët mbi rëndësinë e avancimit të Koalicionit të Romës për Qasjen ndaj Plehrave Kimike dhe Sigurinë Ushqimore”.
Ata theksuan nevojën për veprim të koordinuar ndërkombëtar për të adresuar dobësitë në zinxhirët e furnizimit.
Deklarata tha se “paqëndrueshmëria në rritje në Lindjen e Mesme dhe në rajonin më të gjerë të Mesdheut, përfshirë ndërprerjet në sigurinë detare dhe rrugët strategjike të lidhura me Ngushticën e Hormuzit”, po ushtrojnë presion të madh mbi zinxhirët global të furnizimit me ushqim dhe plehra kimike.
Ajo shtoi se këto presione po ndikojnë veçanërisht në vendet e cenueshme që varen nga importet në Afrikë dhe Mesdhe.
Pjesëmarrësit ranë dakord për nevojën e forcimit të koordinimit ndërkombëtar për ta rritur “sigurinë ushqimore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe stabilitetin rajonal”.
Ata gjithashtu bënë thirrje për diversifikim më të mirë të zinxhirëve të furnizimit, përmirësim të lidhjeve logjistike dhe rritje të investimeve në sisteme bujqësore më rezistente.
Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë tha se nisma është një platformë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi midis vendeve prodhuese, tranzite dhe importuese, me synimin për ta siguruar vazhdimësinë e furnizimeve dhe qasjen në plehra kimike.
Tajani tha se koalicioni pasqyron shqetësimin në rritje për ndikimin e ndërprerjeve në rrugët strategjike detare.
“Këto tendenca përkeqësojnë më tej pasigurinë ushqimore në nivel global, duke prekur veçanërisht vendet më të cenueshme”, tha ai, duke shtuar se paqëndrueshmëria ndikon edhe në çmimet dhe disponueshmërinë e inputeve bujqësore.
Sipas ministrisë italiane, diskutimet gjithashtu përfshinë analizat e FAO-s mbi ndikimin e ndërprerjeve në rajonin e Gjirit Persik dhe u theksua se nevojitet koordinim më i fortë global për t’i adresuar luhatjet e çmimeve dhe qëndrueshmërinë e sistemeve ushqimore.
Ministria tha se nisma synon të kontribuojë në përpjekjet më të gjera ndërkombëtare dhe mesdhetare për sigurinë ushqimore, forcimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetin e zinxhirëve global të furnizimit.
Tensionet rajonale janë rritur që nga sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Teherani dhe ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi u zgjat më pas nga presidenti amerikan, Donald Trump, pa një afat të caktuar.
Që nga 13 prilli, ShBA-ja ka vendosur një bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në këtë rrugë strategjike.























