Në Shqipëri vazhdon protesta e thirrur nga studentët dhe e mbështetur nga pedagogë, grupe të tjera të shoqërisë dhe qytetarë, ndërkohë nuk janë shënuar tensione të larta si në protestat e kaluara.
Edhe gjatë ditës së sotme protestuesit pas marshimit në disa rrugë të Tiranës janë mbledhur fillimisht para selisë së Ministrisë së Arsimit.
Gjatë protestës te ministria nuk u shënuan përplasje, ndërkohë disa protestues u vendosën flakën koshave të mbeturinave.
Më pas protestuesit marshuan drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke protestuar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe sot thirrjet për dialog, ndërkohë protestuesit kanë refuzuar të dërgojnë përfaqësues për t'i parashtruar kërkesat e tyre.
Edhe në protestën e sotme u angazhuan qindra forca policore shtesë në disa zona të Tiranës.
Në Shqipëri, në ditët e fundit janë mbajtur protesta të thirrura nga studentët dhe të mbështetura nga pedagogë, nxënës të shkollave të mesme dhe nga qytetarët, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, akteve të dhunës dhe dëmtim të pronës publike dhe institucioneve.
Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në vitet e fundit, ndërkohë kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe në çështje të tjera.























