Në prag të festës së Bajramit të Kurbanit besimtarët myslimanë në vendet e Ballkanit vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës.
Besimtarët vazhdojnë me blerjen e produkteve të ndryshme, por edhe për përgatitjen e kurbanit, simbolit të Bajramit të Kurbanit.
Tregu "Pazari i Ri" në Tiranë, në prag të festës së Bajramit të Kurbanit është më i frekuentuar, ku qytetarët blejnë produktet nga më të ndryshmet, ndërkohë edhe tregjet në qytete e tjera të vendit presin besimtarët.
Besimtarët myslimanë përgatitje kanë bërë edhe për therjen e kurbaneve, ku prej ditësh bëhen përgatitjet për blerjen e kurbanit.
Manifestimi qendror për Bajramin e Kurbanit në Shqipëri do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Përgatitjet për pritjen e Bajramit të Kurbanit vazhdojnë edhe në Maqedoninë e Veriut.
Në tregun e kafshëve në kryeqytetin Shkup, vërehet në ditët e fundit frekuentim më i lartë nga qytetarët, të cilët blejnë kurbanet.
Gjithashtu, Çarshia e Vjetër dhe tregu i Bit Pazarit në Shkup janë plot me njerëz që blejnë ëmbëlsira, dhurata dhe produkte të ndryshme.
- Pikat kufitare në Kosovë janë përballur me fluks në rritje të mërgimtarëve që kanë ardhur për ta kaluar festën pranë familjarëve
Edhe qytetarët e besimit Islam në Kosovë po bëjnë përgatitjet e fundit në prag të festës së Bajramit të Kurbanit.
Ditët e fundit, pikat kufitare në Kosovë janë përballur me fluks në rritje për shkak të mërgimtarëve që kanë ardhur për ta kaluar festën pranë familjarëve në vendlindje.
Po ashtu, nevoja për blerjen e ushqimeve dhe produkteve të tjera për festë ka shtuar lëvizjen nëpër qytete, sidomos në kryeqytet.
Në tregun e bagëtive në afërsi të fshatit Bardhosh në Prishtinë, shitësit thonë se interesimi për blerjen e kurbaneve mbetet i konsiderueshëm, ndonëse çmimet kanë shënuar rritje krahasuar me vitet e kaluara.
Çmimi i një kurbani sivjet sillet rreth 200 euro, ndërsa në varësi të madhësisë dhe peshës, disa shiten edhe më shtrenjtë.
Përveç tregut të bagëtive, qytetarë të shumtë frekuentojnë edhe tregjet e gjelbra, marketet dhe ëmbëltoret për t’u furnizuar për festën.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet tradicionalisht në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë, ku mesazhin e festës e përcjell Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Përgatitjet vazhdojnë edhe në vendet e tjera të Ballkanit.






















