| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Kryediplomati shqiptar shpreh mirënjohje ndaj Sllovenisë për mbështetjen në rrugën evropiane
Ministri Hoxha ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen “e qëndrueshme dhe konsistente” të Sllovenisë ndaj rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Kryediplomati shqiptar shpreh mirënjohje ndaj Sllovenisë për mbështetjen në rrugën evropiane
Kryediplomati shqiptar shpreh mirënjohje ndaj Sllovenisë për mbështetjen në rrugën evropiane / TRT Balkan

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar takim me të dërguarin e posaçëm të Ministrisë së Jashtme të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Anzej Franges, ku janë riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe mbështetja e vazhdueshme e Lubjanës për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen “e qëndrueshme dhe konsistente” të Sllovenisë ndaj rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke e theksuar njëkohësisht angazhimin e Tiranës për t’i vijuar reformat me vendosmëri dhe rezultate konkrete.

Në fokus të bisedimeve ka qenë edhe rëndësia e forcimit të bashkëpunimit rajonal, në një kontekst gjeopolitik të karakterizuar nga pasiguri dhe zhvillime të paparashikueshme. 

Palët kanë theksuar nevojën për një perspektivë të qartë dhe të besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor, të bazuar në meritë dhe përmbushje kriteresh, si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë.

Gjithashtu, janë diskutuar mundësi konkrete për thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, me synim forcimin e partneritetit dhe sjelljen e përfitimeve të prekshme për qytetarët dhe rajonin në tërësi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë