| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Trajneri i Kosovës në prag të ndeshjes me Türkiyen: Do të japim gjithçka për ta fituar ndeshjen
Foda tha se skuadra është e përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm, përfshirë vazhdimet dhe penalltitë.
Trajneri i Kosovës në prag të ndeshjes me Türkiyen: Do të japim gjithçka për ta fituar ndeshjen
Trajneri i Kosovës në prag të ndeshjes me Türkiyen: Do të japim gjithçka për ta fituar ndeshjen / AA
11 orë më parë

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda tha se përballja ndaj Türkiyes është plotësisht e baraspeshuar, duke theksuar se "gjasat janë 50-50" në prag të ndeshjes vendimtare për kualifikim në Botëror 2026.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes që zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin "Fadil Vokrri", Foda u shpreh se kundërshtari ka shumë cilësi individuale, por theksoi se edhe Kosova ka potencial për ta fituar këtë duel.

"Ekipi i Türkiyes është shumë i fortë. Ka lojtarë individualë si Yildiz, Guler, Çalhanoglu. Ka shumë lojtarë kualitativë, por edhe ne kemi kualitet. Shanset janë 50-50, do të bëjmë të pamundurën, do të japim gjithçka që ta fitojmë ndeshjen", tha Foda, duke shtuar se skuadra është e përgatitur për të gjithë skenarët, përfshirë vazhdimet dhe penaltitë.

Ai theksoi rëndësinë e disiplinës taktike dhe kompaktësisë në fushë, duke nënvizuar se Kosova duhet të jetë e fortë në mbrojtje dhe e rrezikshme në kundërsulm.

"Në kualifikime kemi pranuar pak gola. Me Sllovakinë ishte ndeshje me shumë sulme. Nesër duhet të qëndrojmë kompakt, duhet t’i bëjmë përmirësime në mbrojtje. Është e rëndësishme që mbrojtja të funksionojë dhe menjëherë të hidhemi në kundërsulme. E rëndësishme që luajmë në vendin tonë dhe ta kërkojmë suksesin", shtoi Foda.

Ndërkaq, kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi e cilësoi këtë përballje si një nga momentet më të mëdha në historinë e vendit. "Pas Pavarësisë, kjo mund të jetë lumturia më e madhe për shtetin tonë", tha Muriqi duke shtuar se për të është më e rëndësishme fitorja e ekipit sesa golat personalë.

Ai theksoi se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe se lojtarët janë të motivuar maksimalisht për të arritur suksesin historik. "Emocionalisht po ndihem ndryshe, jam formuar si futbollist atje, kam shumë respekt për përfaqësuesen e Türkiyes, por, nesër është ndryshe sepse luaj për kombëtare, vazhdoj të respektoj kundërshtarët por do të bëj çmos që të kualifikohemi si shtet edhe në Kupën e Botës", tha Muriqi.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Türkiyes zhvillohet nga ora 20:45 dhe përcakton skuadrën që do të sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë