Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron në Pallatin Elysee, ka diskutuar për tri shtylla kryesore: anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) dhe organizata ndërkombëtare, rolin e NATO-s në sigurinë e vendit si dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe menaxhimin e marrëdhënieve me Serbinë, raporton Anadolu.
Në fjalën e tij hyrëse të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se takimi me presidentin Macron ka zgjatur rreth dy orë dhe është karakterizuar nga një diskutim i hapur dhe i drejtpërdrejtë.
"Me presidentin Macron biseduam për rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Pastaj për rolin e rëndësishëm dhe të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, për bashkëveprimin me aleatët veriatlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan. Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe raportet me fqinjin verior të Kosovës ishin çështje të cilat në kontekst të sigurisë së vendit tonë, i diskutuam me presidentin francez", ka thënë Kurti.
Ai tha se me presidentin Macron diskutuan edhe për organizimin e forumeve të reja të biznesit Kosovë-Francë si vijimësi e atij që u mbajt muajin e kaluar në Prishtinë si dhe planet dhe investimet në edukim.
Kurti tha po ashtu se folën edhe për mbështetjen franceze në organizmin e Lojërave Mesdhetare 2030 të cilat do të mbahen në Kosovë.




















