Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi ka deklaruar se Shqipëria mbetet një aleat i palëkundur i NATO-s dhe një partner aktiv në sigurinë ndërkombëtare.
Ministri Nufi prezantoi në një konferencë për shtyp prioritetet dhe angazhimet e ministrisë që ai drejton, në fushën e sigurisë kombëtare, Forcave të Armatosura dhe menaxhimit të emergjencave civile.
Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, gjatë konferencës një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, "ku prioritet mbeten investimet në sistemet e mbrojtjes ajrore, teknologjitë dronë dhe kundër-dronë, mbrojtjen kibernetike, fuqinë e zjarrit të artilerisë, mjetet taktike dhe sistemet moderne të komunikimit".
“Padyshim, që modernizimi i Forcave tona të Armatosura mbetet një nga prioritetet strategjike. Investimet janë përqendruar në kapacitete me ndikim të drejtpërdrejtë operacional, në përputhje me objektivat e NATO-s dhe nevojat e sigurisë kombëtare. Shqipëria mbetet një aleat i palëkundur i NATO-s dhe një partner aktiv në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, u shpreh ministri Nufi, sipas të cilit, ky proces po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me “aleatët në NATO dhe partnerët strategjikë”.
Ai theksoi se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë aktualisht kontribuojnë me rreth 250 efektivë në misione dhe operacione jashtë vendit në kuadër të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe OKB-së.
Ministri Nufi ka shtuar se stërvitjet e planifikuara janë hapa të rëndësishëm në rritjen e gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë sipas standardeve të NATO-s. Ai tha se në kuadër të angazhimit në Bordin e Paqes, Shqipëria ka marrë masa për shqyrtimin e situatës në Gaza.
“Sa i përket angazhimit tonë në Bordin e Paqes dhe angazhimit të marrë për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, Republika e Shqipërisë ka ndërmarrë masa sa i përket në radhë të parë shqyrtimit të gjithë situatës që aktualisht zhvillohet në Gaza”, ka deklaruar Nufi.
Duke folur për industrinë e mbrojtjes, Nufi vlerësoi marrëveshjen mes kompanisë shtetërore shqiptare “Kayo” dhe kompanisë italiane “Fincantieri”, e cila sipas ministrisë synon krijimin e një kantieri të ri detar në Pashaliman për prodhimin e mjeteve lundruese.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se rekrutimet në Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë rritur me rreth 90 për qind gjatë dy viteve të fundit, ndërsa pjesëmarrja e grave në fazat e rekrutimit arrin në 12–13 për qind.
Gjithashtu raportohet se Nufi ka deklaruar se sot është ngritur një Taskforcë për organizimin e Samitit të NATO-s, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.






















