Nga Maqedonia e Veriut sot u nisën grupet e para të besimtarëve myslimanë që udhëtojnë në Arabinë Saudite për ta përmbushur obligimin e Haxhit.
Grupi i parë prej 180 haxhilerëve përbëhej nga besimtarët e Shkupit, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit ishte i stërmbushur me familjarë të cilët kishin ardhur për t'i përcjellë të afërmit e tyre për në Haxh.
Në aeroport i pranishëm ishte edhe Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, i cili u shpreh se ka kënaqësi të veçantë të përcjellë grupin e parë të besimtarëve të cilët bashkë me familjarët e tyre përjetojnë gëzim të veçantë.
Duke theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për udhëtimin shpirtëror, Ismaili tha: "Haxhilerët e Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas kryerjes së të gjitha procedurave këtu në vend - organizimit, vaksinimit, marrjes së lejeve në institucionet shtetërore këtu dhe të gjitha planifikimet që janë bërë në Arabinë Saudite - dy mijë e njëzet haxhilerë të cilët planifikohen këtë vit të udhëtojnë për në vendet e shenjta, që nga dita e sotme me aeroplanin e parë do të udhëtojnë 180 haxhilerë. Do të vazhdojnë udhëtimet deri më datë 21 për çdo ditë me aeroplanë për t'i përcjellë gjithë haxhilerët në vendet e shenjta në Mekën e bekuar.
Ai më tej gjithashtu tha: "Planifikohet qëndrimi këtë vit atje të jetë diku 24-25 ditë, varësisht prej fluturimit, por kjo është mesatarja e qëndrimit atje. Për momentin, të gjithë haxhilerët janë të informuar për çdo detaj, janë organizuar seminare, janë bërë përgatitjet dhe, dhëntë Zoti, tashmë veç përcillen nga familjarët dhe nisen drejt vendeve te shenjta".
Udhëheqësi i haxhilerëve i caktuar nga Bashkësia Islame, hoxhë Nimet Aliu, u shpreh: "Së pari e falënderojmë Allahun që na e ka mundësuar sivjet të jemi përsëri si udhëheqës pranë Myftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut. E falënderoj myftiun që na ka përzgjedhur që të jemi sivjet udhëheqës. Unë kam qenë shumë herë, por, elhamdulilah, Zoti ma mundësoi edhe sivjet që të jemi, inshallah, në shërbim të haxhilerëve".
Orhan Saliu, një udhëtar për në vendet e shenjta nga Saraji i Shkupit, shprehu ndjenjat e bukura të Haxhit duke thënë: "Është kënaqësi e veçantë të jesh mysafir i Allahut, sepse nuk ia mundëson çdokujt Zoti që të jetë mysafir i Tij, prandaj, thjesht me fjalë të tjera, Haxhi nuk mund të përshkruhet me fjalë, Haxhi duhet të përjetohet".
Haxhi është obligim fetar për myslimanët të cilët i plotësojnë kushtet shëndetësore dhe ekonomike për t'i vizituar vendet e shenjta në qytetin e Mekës dhe Medinës në Arabinë Saudite.























