| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëria u bë pjesë e qendrës së NATO-s për mbrojtjen kibernetike
Shqipëria u bë zyrtarisht anëtare e NATO CCDCOE-së në Estoni, duke forcuar bashkëpunimin me aleatët në sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen ndaj kërcënimeve digjitale.
Shqipëria u bë pjesë e qendrës së NATO-s për mbrojtjen kibernetike
Shqipëria u bë pjesë e qendrës së NATO-s për mbrojtjen kibernetike / AA

Republika e Shqipërisë ka hedhur një tjetër hap në forcimin e sigurisë kibernetike, duke u bërë zyrtarisht pjesë e NATO Qendra e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese (CCDCOE),për mbrojtjen kibernetike me seli në Tallinn të Estonisë.

Anëtarësimi u formalizua gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit në selinë e CCDCOE-së, ku Shqipëria iu bashkua këtij rrjeti ndërkombëtar së bashku me Finlandën dhe Suedinë. Me hyrjen e tre vendeve të reja, numri i anëtarëve dhe partnerëve të qendrës ka arritur në 39.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit me strukturat dhe aleatët e NATO-s përballë sfidave në hapësirën digjitale.

Përmes pjesëmarrjes në CCDCOE-së, Shqipëria do të ketë mundësi të përfshihet në kërkime dhe analiza strategjike, në trajnime dhe stërvitje ndërkombëtare, si dhe në shkëmbim ekspertize me institucione dhe specialistë të vendeve aleate dhe partnere.

CCDCOE-ja, e themeluar në vitin 2008 dhe e akredituar nga NATO, është një nga qendrat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes kibernetike. Ajo fokusohet në kërkimin shkencor, analizat strategjike dhe zhvillimin e praktikave për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike.

Qendra organizon gjithashtu “Locked Shields”, stërvitjen më të madhe dhe më komplekse në botë në fushën e mbrojtjes kibernetike.

Me këtë anëtarësim, Shqipëria forcon më tej pozicionin e saj në ekosistemin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike dhe thellon bashkëpunimin me ekspertët kryesorë të NATO-s në këtë sektor.




BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë