Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar ndarjen buxhetore prej 50 mijë eurove për realizimin e projektit të rikonstruktimit të Xhamisë së komunitetit boshnjak në veri të Mitrovicës, e njohur si Xhamia e Ibrit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen fizike të Qeverisë, tha se rikonstruktimi i Xhamisë së Ibrit paraqet një hap me rëndësi për ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Kurti tha se kjo xhami ka vlerë të veçantë për komunitetin lokal dhe përfaqëson një simbol të bashkëjetesës, kujtesës dhe trashëgimisë së qytetit të Mitrovicës.
“Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit ka propozuar rialokimin e 50.000 eurove për realizimin e projektit të rikonstruktimit të saj, në përputhje me programin për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet këtij investimi, synohet ruajtja dhe restaurimi i një objekti me rëndësi historike, kulturore dhe shoqërore për qytetarët dhe komunitetin lokal, por i cili natyrisht së pari ka nevojë për rindërtim”, tha Kurti.
Për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, e cila u ndërtua në vitin 1777, ndërsa u dogj gjatë periudhës së luftës në Kosovë, më 2 maj të vitit 1999, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës më 2 maj të këtij viti.
Kryeministri Kurti ka njoftuar se së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj.






















