Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE).
Rezoluta u miratua gjatë seancës së sotme parlamentare me 114 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Igli Hasani, prezantoi rezolutën ku theksoi se riafirmon një zgjedhje strategjike të Shqipërisë, anëtarësimin në BE.
Sipas rezolutës, Kuvendi i Shqipërisë angazhohet të forcojë në tërësi rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në BE dhe të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës për procesin e anëtarësimit në BE.
Gjithashtu, theksohet se Kuvendi i Shqipërisë angazhohet të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet evropiane.
"Kuvendi i Shqipërisë rithekson se përparimi në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian", tha Hasani gjatë prezantimit.
Sipas Kuvendit të Shqipërisë, rezoluta e cilëson integrimin evropian një objektiv strategjik kombëtar, "si dhe parashikon forcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e negociatave, mbikëqyrjen e reformave dhe kontrollin ndaj ekzekutivit".
Po ashtu, një nga pikat kyç të kësaj rezolute, sipas Kuvendit, është angazhimi reciprok mes shumicës parlamentare dhe opozitës për pjesëmarrje të plotë në jetën parlamentare dhe forcim të dialogut politik.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon t’i përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërsa synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.






















