Në shkollat e Fondacionit Maarif të Türkiyes (TMV) në Maqedoninë e Veriut u mbajt ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 8-të.
Në ceremoninë e diplomimit të organizuar në shkollat e TMV-së në Tetovë morën pjesë përfaqësuesi i TMV-së për Maqedoninë e Veriut, Osman Demirgul, drejtori i përgjithshëm i Halkbank Shkup, Fatih Sahbaz, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore, si dhe nxënës dhe prindër.
Demirgul, në fjalën e tij, iu drejtua nxënësve të diplomuar duke thënë: “Ju jeni diplomuar nga shkolla më e mirë e Tetovës, një nga shkollat më të mira të Maqedonisë së Veriut. Të diplomohesh nga Shkollat Maarif është vërtet një privilegj dhe një nder që mund të mbahet gjatë gjithë jetës. Për këtë arsye ju përgëzoj”.
Ndërkaq, drejtori i Shkollës së TMV-së në Tetovë, Hikmet Parlar, shprehu besimin se nxënësit e diplomuar do të kenë sukses në universitet falë arsimit që kanë marrë në këtë shkollë.
Në Shkollën e TMV-së në Tetovë, e cila këtë vit nxori 72 maturantë, nxënësja e vitit u shpall Lejla Xhelili.
Në kuadër të programit, nxënësit interpretuan këngë shqip dhe turqisht, ndërsa në oborrin e shkollës u zhvillua ceremonia tradicionale e hedhjes së kapelave.






















