Komanda Qendrore e ShBA-së (CENTCOM) njoftoi se të mërkurën nisi një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane.
“Sot, në orën 17:30 sipas kohës lindore, forcat amerikane, me urdhër të komandantit të përgjithshëm, nisën sulme të tjera ndaj objektivave ushtarake iraniane”, thuhet në deklaratën e CENTCOM-it.
“Misioni do të vazhdojë për të dobësuar më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar marinarët civilë dhe anijet tregtare që kalojnë nëpër ujërat e rajonit.”
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit në fund të shkurtit. Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj vendeve të Gjirit që strehojnë asete amerikane.
ShBA-ja dhe Irani nënshkruan muajin e kaluar një memorandum mirëkuptimi, të ndërmjetësuar nga Pakistani, për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje. Megjithatë, tensionet u përshkallëzuan përsëri javën e kaluar për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit, ku të dyja palët shkëmbyen sulme.
Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, 18 pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë dhe 447 të tjerë janë plagosur që nga nisja e sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.


















