Është nisur sot pasdite grupi i parë i haxhilerëve nga Kosova drejt Mekës në Arabinë Saudite.
Dhjetëra besimtarë myslimanë të të dyja gjinive, shumica të veshur me ihrame, morën rrugën nga Aeroporti “Adem Jashari”, për të kryer një nga pesë shtyllat e Islamit.
Besimtarët, shumica e të cilëve nga Prishtina me rrethinë, mes përqafimeve dhe emocioneve u përshëndetën me familjarët e tyre para se të futeshin në zonën kontrollit para fluturimit.
Imami nga Prishtina, Hakif Hoti, u nis drejt haxhit për të 12-tën herë me radhë, këtë vit në cilësinë e udhëheqësit.
Ai thotë se haxhi i parë është ndjesia me e lartë emocionale, por ky ritual ka fuqinë që të të bëjë të ndihesh gjithmonë si në herën e parë.
“Çështja e haxhit është sikurse çështja e namazit. Një kohë edhe te ne janë munduar të na thonë se duhet të falesh vetëm kur plakesh, kur s’ke punë. Këto obligime janë për ata që i kanë mundësitë. Momentin e parë i jepet dikujt mundësia e haxhit të mos frikësohet, sepse ato shpenzime në haxh i kompenson Zoti në anën financiare, por edhe në anën shpirtërore do ta vëresh se do të kesh përmirësim në të gjitha aspektet e jetës”, tha Hoti.
Baki Imeri tha se po shkon në haxh për herë të gjashtë, këtë herë si bedel për prindërit e një xhematliu ku ai shërben si imam në Xhaminë e Muhaxherëve në Prishtinë.
Imeri i cili shkon me bashkëshorten në vendet e shenjta lutet që udhëtimi dhe ritualet të shkojnë mirë dhe të gjithë të kthehen mirë në shtëpitë e tyre derisa u bën thirrje që këtë shans mos ta humbin të gjithë ata që i kanë mundësitë.
“Jo gjithkujt Zoti ia cakton të shkojë në haxh. Ta marrësh këtë udhë është një nder. Prandaj, mos e humb këtë nder nëse ke mundësi fizike, psikike dhe materiale. Është nder dhe jo çdokujt Zoti ia bën nasib”, thotë Imeri.
Nga e premtja dhe ditët në vijim, nga Kosova drejt vendeve të shenjta do të udhëtojnë gjithsej 1.576 besimtarë myslimanë.





















