| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm pas trazirave në mbarë Francën
Sipas të dhënave zyrtare, dhuna e së shtunës goditi rreth 1.500 biznese, ndërsa afro 2.400 persona u arrestuan.
Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm pas trazirave në mbarë Francën
Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm pas trazirave në mbarë Francën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, refuzoi të hënën dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, pas dhunës dhe plaçkitjeve të përhapura në të gjithë vendin gjatë protestave të fundjavës, raportoi transmetuesi BFMTV.

Nunez ia paraqiti dorëheqjen Macronit të dielën, mes kritikave në rritje për mënyrën se si autoritetet i menaxhuan trazirat.

“Unë jam ministër i Brendshëm dhe jam përgjegjës për gjithçka që ndodh në terren”, tha ai për radion France Inter, duke shpjeguar vendimin për dorëheqje.

Nunez pranoi se policia kishte “humbur kontrollin” në disa qytete dhe se kishte pasur “mungesë parashikimi” në dislokimin e forcave të sigurisë në dispozicion.

Megjithatë, presidenti vendosi ta mbante në detyrë, duke përmendur nevojën për vazhdimësi në drejtimin e forcave të sigurisë gjatë krizës aktuale, sipas një deklarate të Pallatit Elysee.

Macron kërkoi gjithashtu më shumë transparencë lidhur me ato që i cilësoi si “dështime në parashikim dhe në mbledhjen e informacioneve të inteligjencës”, të cilat kontribuuan në përmasat e dhunës.

Trazirat, të cilat shpërthyen gjatë protestave të së shtunës, lanë të plagosur afro 1.000 pjesëtarë të forcave të rendit dhe çuan në rreth 2.400 arrestime, sipas të dhënave zyrtare.

Reagimi i qeverisë është kritikuar nga disa drejtues vendorë, përfshirë kryebashkiakët e Parisit, Marsejës dhe Limogesit.

Nunez pritet të vizitojë Marsejën, një nga qytetet më të goditura nga dhuna, ku autoritetet thanë se deri në 30.000 persona ishin përfshirë në plaçkitjet e së shtunës.

Macron premton masa

Në një fjalim televiziv të dielën në mbrëmje, Macron premtoi se personat përgjegjës për shkatërrimet do të japin llogari.

“Ata që u përpoqën ta rrëzonin Republikën do të japin llogari”, tha ai, duke shtuar se vendi ndiente “zemërim dhe turp” për dhunën.

Përleshje dhe plaçkitje të tjera u raportuan të dielën vonë në Paris, Lion dhe Marsejë.

Në kryeqytetin francez, policia arrestoi 92 persona deri rreth mesnatës, pas incidenteve të reja pranë Sheshit të Republikës.

Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu pritet të drejtojë në orën 10:00 sipas orës vendase një takim ndërministror për krizën, ku do të vlerësohen pasojat ekonomike të trazirave, dëmet ndaj bizneseve, çështjet e sigurimeve dhe procedurat ligjore në vazhdim.

Sipas Federatës së Tregtisë dhe Shpërndarjes, rreth 1.500 biznese u sulmuan gjatë dhunës së së shtunës, ndërsa humbjet vlerësohen në disa qindra milionë euro.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë