| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëri, shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut
Ceremonia qendrore për Ditën e Dëshmorëve me rastin e 5 Majit u zhvillua në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit dhe përfaqësuesve të shoqatave të veteranëve.
Shqipëri, shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut
Shqipëri, shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut / AA

Në Shqipëri është shënuar Dita e Dëshmorëve të Atdheut, ku në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme.

Ceremonia qendrore me rastin e 5 Majit u zhvillua në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të shoqatave të veteranëve.

Pjesë e ceremonisë në Tiranë ishin presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ministra, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, të cilët vendosën kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.

Në një reagim në rrjetet sociale, presidenti Begaj ka shkruar se "sakrifica sublime e çdo patrioti duhet të na shërbejë si një udhëzues moral për të mbrojtur pa hezitim parimet dhe vlerat universale të paqes dhe drejtësisë mbi të cilat bazohet demokracia".

"Përkujtojmë dhe nderojmë sot me përulje dhe respekt të thellë Dëshmorët e Kombit, burra dhe gra, të rinj e të reja që dhanë jetën për vatan, liri dhe paqen që gëzojmë sot. Ata ishin idealistë që luftuan deri në sakrificën sublime për të përmbushur ëndrrën tonë të përbashkët", ka shkruar Begaj.

Aktivitete dhe ceremoni të ndryshme me rastin e Ditës së Dëshmorëve janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Kujtojmë se 5 Maji është caktuar me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita e Dëshmorëve të Atdheut.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë