Türkiye dhe Siria kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin, funksionimin dhe aktivitetet e qendrave kulturore në vendet përkatëse.
Sipas marrëveshjes, qendrat turke do të mund të veprojnë në gjithë Sirinë, kryesisht duke ofruar kurse të gjuhës turke dhe duke e promovuar kulturën turke.
Ambasadori i Türkiyes në Damask, Nuh Yilmaz, tha për Anadolu se marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Sirisë po zhvillohen me shpejtësi në përputhje me vullnetin politik të shprehur nga presidentët e të dyja vendeve, duke shtuar se po krijohet gjithashtu korniza e nevojshme ligjore.
Ai e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe mbi baza institucionale dhe ligjore.
Qendrat kulturore të Institutit Yunus Emre të Türkiyes, të emërtuara sipas poetit të njohur të shekullit XIV, funksiononin në kryeqytetin sirian Damask dhe në Halep para luftës, por pezulluan aktivitetet e tyre pas fillimit të konfliktit në vitin 2011.
Yilmaz tha se Siria ka një numër të konsiderueshëm të popullsisë që flet turqisht, përfshirë komunitetet lokale etnike turkmene dhe sirianët që kanë jetuar për shumë vite në Türkiye.
“Këto qendra do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive ekzistuese gjuhësore dhe në ngritjen e tyre në një nivel më akademik”, tha ai, duke e theksuar kërkesën e madhe mes sirianëve që duan të mësojnë ose përmirësojnë gjuhën turke.
Yilmaz tha se Instituti Yunus Emre do të organizojë gjithashtu aktivitete që e synojnë rizbulimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore të dy vendeve, përfshirë projekte në letërsi, fotografi, kinema, pikturë dhe histori.
Ai shtoi se programet kulturore do t'i forcojnë lidhjet mes dy popujve dhe do të nxjerrin në pah marrëdhënien historike dhe kulturore mes Türkiyes dhe Sirisë.
Marrëveshja u nënshkrua nga Yilmaz dhe Qutayba Kadish, drejtues i Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sirisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe zyrtarë të ambasadës dhe Furkan Koroglu, koordinator në detyrë i Qendrës Kulturore të Damaskut të Institutit Yunus Emre.




















