| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shqipëri, bizneset duhet të pajisen me terminale POS deri më 30 maj
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri nënvizon se përmbushja e këtyre detyrimeve brenda afateve të përcaktuara do të sjellë më shumë transparencë dhe formalizim të aktivitetit ekonomik.
Shqipëri, bizneset duhet të pajisen me terminale POS deri më 30 maj
Shqipëri, bizneset duhet të pajisen me terminale POS deri më 30 maj / ATA

Bizneset në Shqipëri kanë ende 37 ditë për të përmbushur detyrimin ligjor për pagesat “cashless” përmes terminaleve për pagesa elektronike në strukturat akomoduese, shërbimet e transportit dhe institucionet/shoqëritë publike, ndërsa afati për sektorin e turizmit dhe transportit është 30 maj 2026.

Për të gjitha bizneset e tjera në vend ky afat përfundimtar është 31 dhjetori 2026.

Ndryshimet e fundit të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” synojnë uljen e përdorimit të parasë në dorë, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në transaksionet ekonomike.

Sipas ligjit, bizneset duhet të pajisen me terminale POS, ndërkohë që kufiri i lejuar për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve është ulur nga afro 1.500 euro në 1.000 euro, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve dhe reduktimin e evazionit fiskal.

Ndërkohë, për transaksionet cash midis individëve dhe subjekteve të vetëpunësuara është vendosur një kufi prej afro 5.000 eurosh për të kufizuar qarkullimin e parasë jashtë sistemit financiar formal.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri nënvizon se përmbushja e këtyre detyrimeve brenda afateve të përcaktuara do të sjellë shërbim më të shpejtë për qytetarët, më shumë transparencë dhe formalizim të aktivitetit ekonomik, duke kontribuar në modernizimin e sistemit të pagesave dhe luftën kundër evazionit fiskal.

Tatimpaguesit në vend që nuk përmbushin këto detyrime rrezikojnë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë