Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po dërgon të dërguarin e tij special, Steve Witkoff, dhe këshilltarin Jared Kushner në Pakistan për bisedime me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, sipas një raporti të publikuar të premten.
Bisedimet pritet të fillojnë këtë fundjavë, raportoi CNN, duke cituar dy zyrtarë anonimë amerikanë. Nënpresidenti JD Vance nuk do të marrë pjesë pasi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, të cilin administrata Trump e konsideron si homolog të Vance, nuk do të jetë i pranishëm, sipas CNN.
Megjithatë, Vance do të jetë i gatshëm të udhëtojë drejt Islamabadit nëse bisedimet marrin vrull të mjaftueshëm, thanë zyrtarët. Anëtarë të stafit të tij do të jenë pjesë e delegacionit amerikan gjatë bisedimeve.
Araghchi pritet të nisë të premten në mbrëmje një turne rajonal, duke filluar nga Pakistani për të vazhduar më pas në Oman dhe Rusi.
“Qëllimi i vizitave të mia është të koordinohem ngushtë me partnerët tanë për çështje dypalëshe dhe të konsultohem për zhvillimet rajonale. Fqinjët tanë janë prioriteti ynë,” shkroi ai në X.
Para këtij njoftimi, Teherani dhe Islamabadi ishin të angazhuar në diplomaci intensive. Araghchi zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar, ku diskutuan zhvillimet rajonale, armëpushimin dhe përpjekjet e vazhdueshme diplomatike, sipas zyrtarëve pakistanezë.
Ai gjithashtu zhvilloi bisedime të ndara me shefin e ushtrisë së Pakistanit, feldmarshallin Asim Munir, por nuk u dhanë detaje. Bazuar në këto kontakte, burime të qeverisë pakistaneze i thanë Anadolu se Araghchi pritet të mbërrijë në Islamabad të premten.
Pakistani po shton përpjekjet për të ringjallur një raund të dytë bisedimesh mes Iranit dhe ShBA-së. Burimet thanë se diskutimet me Teheranin mund të hapin rrugën për negociata të reja, pas raundit të parë të bisedimeve direkte të mbajtura në Islamabad më 11–12 prill.
Këto bisedime erdhën pasi Pakistani ndërmjetësoi një armëpushim dyjavor më 8 prill, i cili më vonë u zgjat nga Trump pa një afat të përcaktuar. Zhvillimet vijnë në mes të tensioneve të vazhdueshme që nga shpërthimi i luftës më 28 shkurt, me përpjekje të përqendruara në arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë për t’i dhënë fund armiqësive.






















