Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e vendit në Bordin e Paqes.
Gjatë seancës plenare të Kuvendit, anëtarësimi në këtë mekanizëm ndërkombëtar u konsiderua si fuqizim i pozitës së Kosovës dhe mundësi për sigurimin e njohjeve të reja të shtetit.
Megjithatë, partitë opozitare akuzuan mazhorancën se i ka zvarritur procedurat për t’i dhënë dritën e gjelbër kësaj marrëveshjeje, e cila u miratua me votën e 103 deputetëve.
Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, nëpërmjet të cilit ShBA-ja synon zgjidhjen e konflikteve globale me fokus mbikëqyrjen e udhëheqjes në Rripin e Gazës.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte njëra nga 19 udhëheqësit botërorë që nënshkruan themelimin e këtij bordi, i cili synon rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërruese.
Partitë kryesore parlamentare e mbështetën njëzëri kalimin e kësaj marrëveshjeje, duke konsideruar se ajo “riafirmon imazhin e Kosovës në sytë e botës”.
Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar Bordit të Paqes, ndërsa nga vendet e BE-së, vetëm Hungaria dhe Bullgaria.























