Institucionet e Avokatit të Popullit, ai i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kanë zhvilluar takim trepalësh në qytetin e Prizrenit ku është theksuar nevoja për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimit të një partneriteti të qëndrueshëm në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Takimi u fokusua në shkëmbimin e përvojave institucionale, trajtimin e rasteve ndërkufitare dhe forcimin e mekanizmave të bashkëpunimit në çështje që i prekin drejtpërdrejt qytetarët e tri shteteve.
Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, tha se bashkëpunimi rajonal mundëson trajtim më efikas të rasteve dhe adresim më të shpejtë të sfidave që lidhen me të drejtat e njeriut, veçanërisht në kontekstin ndërkufitar.
Qelaj shtoi se ndër çështjet kryesore të diskutuara në takimin trepalësh ishin problemet me dokumentacionin, të drejtat civile dhe mundësia e krijimit të mekanizmave të përbashkët të monitorimit të zbatimit të marrëveshjeve shtetërore. Po ashtu, sipas tij, u dakorduan që vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe shërbimeve shëndetësore për qytetarët në lëvizje mes shteteve.
Nga ana e tij, Endrit Shabani, Avokat i Popullit në Shqipëri theksoi kufizimet territoriale të institucioneve dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë në trajtimin e rasteve ndërkufitare.
Ai solli shembuj të rasteve kur qytetarët e Kosovës marrin shërbime në Shqipëri dhe përballen me vështirësi institucionale, duke nënvizuar se koordinimi mes zyrave të Avokatit të Popullit është thelbësor për mbrojtjen efektive të të drejtave të tyre.
Shabani shtoi se çështjet ndërkufitare përfshijnë edhe pronat, proceset gjyqësore, marrëdhëniet familjare me shtetësi të ndryshme dhe çështjet mjedisore si ndotja e lumenjve që ndahen mes shteteve.
Ndërkaq, Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Faton Selami, mbështeti idenë e forcimit të koordinimit rajonal, duke e parë atë si hap të rëndësishëm drejt standardeve më të larta të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve në rajon.
Në takim u theksua se bashkëpunimi rajonal synon jo vetëm trajtimin e rasteve individuale, por edhe ndërtimin e mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit institucional, që do të mundësojnë reagim më të shpejtë dhe më efektiv ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut.






















