| Albanian
SPORT
2 minuta leximi
Gjashtë drejtues të federatave arabe të futbollit, pro Infantinos mes thirrjeve për dorëheqjen e tij
Mbështetja vjen pasi 3 konfederata rajonale kërkojnë largimin e tij për shkak të planit të braktisur për shitjen e një pjese të të drejtave të garave të FIFA-s.
Gjashtë drejtues të federatave arabe të futbollit, pro Infantinos mes thirrjeve për dorëheqjen e tij
Gjashtë drejtues të federatave arabe të futbollit, pro Infantinos mes thirrjeve për dorëheqjen e tij

Drejtuesit e gjashtë federatave kombëtare arabe të futbollit shprehën të enjten mbështetjen e tyre për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, ndërsa ai përballet me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen për shkak të një plani të braktisur për shitjen e një pjese të të drejtave komerciale të garave të FIFA-s.

Deklarata e përbashkët në mbështetje të Infantinos u nënshkrua nga presidentët e federatave të futbollit të Katarit, Libanit, Marokut, Sudanit, Egjiptit dhe Mauritanisë. Katër prej nënshkruesve janë gjithashtu anëtarë të Këshillit të FIFA-s.

“Shprehim mbështetjen tonë të plotë për z. Gianni Infantino, presidentin e FIFA-s, dhe rikonfirmojmë besimin tonë në lidershipin e tij dhe përkushtimin e vazhdueshëm për zhvillimin e futbollit në mbarë botën”, thanë ata.

Deklarata vjen pas thirrjeve nga organi drejtues evropian UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe Konfederata e Futbollit të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (Concacaf) për dorëheqjen e Infantinos.

Tri konfederatat, që përfaqësojnë 136 nga 211 federatat anëtare të FIFA-s, e akuzuan Infantinon për shkelje të besimit për shkak të përpjekjes së tij për të tërhequr investime private në garat e FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës.

Plani parashikonte transferimin e të drejtave komerciale te një kompani e veçantë dhe shitjen e një pjese prej 20 për te investitorët privatë, me synimin për të mbledhur rreth 4,2 miliardë dollarë.

Ai përfshinte gjithashtu 20 milionë dollarë financim për zhvillim për secilën federatë anëtare gjatë ciklit të ardhshëm të financimit të FIFA Forward, me mundësinë e dyfishimit të shumës nëse propozimi miratohej.

FIFA më vonë e tërhoqi planin pas kundërshtimit të gjerë nga konfederatat, federatat kombëtare dhe aktorë të tjerë të futbollit.

Drejtuesit e federatave të gjashtë vendeve arabe vlerësuan përpjekjet e Infantinos për të zgjeruar mundësitë në rajone të ndryshme dhe për të forcuar rolin e futbollit në bashkimin e komuniteteve.

“Presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me të drejt një të ardhmeje më të fortë dhe më të begatë për futbollin botëror”, shtuan ata.

Infantino, i cili drejton FIFA-n që nga viti 2016, pritet të kërkojë rizgjedhjen në mars të vitit të ardhshëm.

Pavarësisht revoltës së tri konfederatave, ai vazhdon të gëzojë mbështetje të konsiderueshme, veçanërisht në Afrikë, ku Komiteti Ekzekutiv i Konfederatës Afrikane të Futbollit së fundmi rikonfirmoi mbështetjen për të.


BURIMI:TRT Balkan AL