| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye do ta presë Konferencën e 9-të të Istanbulit për Ndërmjetësimin më 23-24 tetor
Konferencë që do të mbledhë së bashku diplomatë, organizata ndërkombëtare dhe ekspertë për të diskutuar mbi zgjidhjen e konflikteve, diplomacinë parandaluese dhe qasjet e reja ndaj ndërmjetësimit.
Türkiye do ta presë Konferencën e 9-të të Istanbulit për Ndërmjetësimin më 23-24 tetor
Türkiye do ta presë Konferencën e 9-të të Istanbulit për Ndërmjetësimin më 23-24 tetor

Türkiye do ta presë Konferencën e nëntë të Istanbulit për Ndërmjetësimin më 23-24 tetor, me temën "Partneritetet dhe perspektivat e reja për paqen: Ndërmjetësimi në një botë në ndryshim", njoftoi Ministria e Jashtme e Türkiyes.

Konferenca do të mbahet nën kujdesin e ministrit të Jashtëm të Türkiyes, Hakan Fidan, në një kohë kur dinamika globale po pëson ndryshime të shpejta dhe të thella, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

Türkiye, e cila ka luajtur rol aktiv në promovimin e zgjidhjes paqësore të konflikteve, lançoi në vitin 2010 në OKB nismën "Ndërmjetësimi për Paqen".

Ajo është gjithashtu i vetmi vend që bashkëkryeson njëkohësisht Grupet e Miqve të Ndërmjetësimit në OKB, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OBI).

Türkiye i organizon Konferencat e Istanbulit për Ndërmjetësimin që nga viti 2012, duke e shndërruar këtë ngjarje në një platformë kryesore ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve, diplomacinë parandaluese dhe ndërmjetësimin.

Edicioni i nëntë pritet të mbledhë aktorë përkatës për ta nxitur dialogun, për t’i trajtuar sfidat aktuale në fushën e ndërmjetësimit dhe për të zhvilluar perspektiva afatgjata dhe qasje inovative, thuhet në deklaratë.

Konferenca do të hapet me dy panele me titujt "Ndërmjetësimi në një botë në ndryshim: Rikthimi i hapësirës për diplomacinë" dhe "Partneritetet dhe perspektivat e reja për paqen: Formësimi i së ardhmes së ndërmjetësimit".

Në këto sesione do të shqyrtohet se si komuniteti ndërkombëtar mund të krijojë më shumë hapësirë për diplomacinë dhe se si ndërmjetësimi mund të luajë rol më efektiv në parandalimin e konflikteve.

Panele të tjera, përfshirë "Angazhimi i përbashkët për paqen: Përvojat dhe perspektivat", "Përpjekjet humanitare në kohë konfliktesh" dhe "Nga parandalimi te paqja e qëndrueshme", do të përqendrohen në përvojat dhe sfidat e vendeve të angazhuara në ndërmjetësim.

Në konferencë do të shqyrtohen gjithashtu qasje të ndryshme ndaj proceseve të ndërmjetësimit dhe do të shfrytëzohet ekspertiza e akademikëve, specialistëve dhe përfaqësuesve të instituteve kërkimore që punojnë në këtë fushë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë