Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë është hapur ekspozita me fotografi “KFOR dhe Kosova 25+” për ta shënuar 12 qershorin - Ditën e Çlirimit të Kosovës.
Përfaqësues të institucioneve të vendit, përfaqësues të KFOR-it, por edhe përfaqësues të NATO-s të cilët u lidhën virtualisht gjatë ngjarjes, morën pjesë në hapjen e ekspozitës.
Ekspozita me foto-dokumentare “KFOR dhe Kosova 25+” sjell në vëmendje Kosovën e viteve 2000-2001 në fazën e hershme të pranisë së KFOR-it pas luftës së vitit 1998-99 në vend.
Autori i fotografive, Nick Sidle, është fotogazetar skocez që i ka realizuar fotografitë gjatë viteve 2000–2001, kur ishte i angazhuar me njësitë e KFOR-it në Kosovë.
Fotografitë nga arkivi tregojnë veprimtarinë e ushtarëve të KFOR-it pas luftës, jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës në vitet e para pas çlirimit por edhe kthimin e refugjatëve, shpërndarjen e ndihmave dhe rindërtimin e jetës normale.





















