Instituti i Gjeoshkencave në Shqipëri paralajmëron për nivel rreziku “të lartë” nga zjarret në disa qarqe të vendit gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.
Sipas parashikimit, këtë të hënë, 31 gusht, dhe këtë të martë, 1 shtator, pritet nivel rreziku “i lartë” nga zjarret në qarqet Lezhë, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera niveli i rrezikut parashikohet “i moderuar”.
Në disa qarqe, rreziku “i lartë” pritet vetëm në zona të lokalizuara. Konkretisht, bëhet fjalë për pjesën jugperëndimore të qarkut Shkodër, verilindjen e qarkut Kukës, jugperëndimin e qarkut Dibër, lindjen e qarkut Durrës dhe Elbasan, verilindjen e qarkut Berat, jugun e qarkut Korçë, perëndimin e qarkut Vlorë, si dhe zonat veriore dhe jugore të qarkut Gjirokastër.
Ndërkohë, sa u përket kushteve meteorologjike, sot pasdite dhe nesër priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.
Në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë priten reshje lokalisht të dobëta.
Nesër, temperaturat maksimale të ajrit në Shqipëri pritet të arrijnë deri në 32 gradë Celsius në bregdet, 35 gradë Celsius në vendet e ulëta dhe 31 gradë Celsius në zonat malore.






















