Kreu i partisë Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaruan se kanë arritur marrëveshje që ta kandidojnë Bekim Sejdiun si kandidat konsensual për President të Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media pas takimit midis dy krerëve të partive, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se nga data 9 korrik kanë nisur takimet e vazhdueshme për diskutimet rreth stabilitetit institucional dhe ata ishin të vendosur për të gjetur zgjidhje për të ecur përpara.
Abdixhiku ka thënë se bisedimet nuk ishin të lehta, por shteruese dhe mjaft intensive.
“Të dyja palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për Presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur shumë emra personalitetesh të shquara që kanë mbështetje edhe në popull, edhe në shumë vende të Kosovës, që kanë dhënë kontribut profesional dhe kombëtar në shoqërinë tonë dhe që kanë vlera demokratike e shtetërore. Nga të gjithë emrat që janë propozuar e shqyrtuar, në mesin e të cilëve të gjithë ishin individë të dalluar, gjatë diskutimeve të përbashkëta jemi dakorduar për një emër dhe ai është Profesor Doktor Bekim Sejdiu. Karriera e Profesor Doktor Sejdiut është e shquar dhe e pasur, me përvojë të ndryshme e pozita të rëndësishme”, tha Abdixhiku.
Pjesëmarrës gjatë kësaj konference ishte edhe vet Bekim Sejdiu, i cili tha se është nder i madh që dy partitë arritën pajtim që emri i tij të jetë kandidat për President të Kosovës.
Ai tha se është i vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë që e sjell posti i Presidentit, por do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe shtetit me devotshmëri.
Bekim Sejdiu ka qenë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese nga viti 2015 deri 2021. Para se të bëhej gjyqtar i Kushtetueses, ka qenë Ambasador i Kosovës në Türkiye, nga viti 2008 deri 2012 dhe Konsull i Përgjithshëm në Nju Jork në vitet 2012-14.
Sejdiu gjithashtu është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës nga viti 2002.






















