Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se ShBA-ja dhe Irani “kanë arritur” një marrëveshje mbi “tekstin final” të paktit për t’i dhënë fund luftës.
Pakistani ka qenë ndërmjetës mes dy vendeve ndërluftuese që kur ndërmjetësoi një armëpushim më 8 prill për të ndalur luftën, e cila filloi më 28 shkurt.
Sharif tha në X se tani Islamabadi po “punon ngushtë” me Uashingtonin dhe Teheranin për t'i “finalizuar hapat e ardhshëm”.
Paqja mes ShBA-së dhe Iranit “nuk ka qenë kurrë kaq afër sa është tani”, tha Sharif, i cili ka pritur bisedimet e nivelit më të lartë mes ShBA-së dhe Iranit që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979.
Sharif gjithashtu paralajmëroi kundër asaj që e quajti “fushatë të pandërprerë dezinformimi të zhvilluar nga ata që duan të sabotojnë marrëveshjen e paqes”, në mes të “përpjekjeve intensive të ndërmjetësimit nga Pakistani”.
Deklarata e Sharifit erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump tha të enjten se kishte anuluar sulmet ajrore ndaj Iranit dhe pretendoi se një marrëveshje ishte pothuajse e përfunduar.
Më vonë, raportime sugjeruan se nënpresidenti amerikan JD Vance mund të udhëtojë në Evropë për të nënshkruar marrëveshjen e mundshme me Iranin.












