| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
BE-ja synon t’i rrisë kapacitetet e rafinimit të naftës përballë rritjes së çmimeve të karburanteve
Rreth një e katërta e rafinerive në BE janë mbyllur gjatë dy dekadave të fundit, duke i ulur kapacitetet e përpunimit të naftës në Evropë me rreth 10 për qind, tha komisari për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jorgensen.
BE-ja synon t’i rrisë kapacitetet e rafinimit të naftës përballë rritjes së çmimeve të karburanteve
BE-ja synon t’i rrisë kapacitetet e rafinimit të naftës përballë rritjes së çmimeve të karburanteve /AA

Bashkimi Evropian do të punojë për rritjen e kapaciteteve të përpunimit të naftës dhe shtimin e prodhimit të karburanteve, ndërsa tensionet gjeopolitike po rrisin çmimet e energjisë, tha të mërkurën komisari evropian për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jorgensen.

“Edhe një herë, për shkak të trazirave gjeopolitike, Evropa po përballet me një tjetër krizë energjetike”, tha Jorgensen në një konferencë për media në Bruksel.

Ai tha se çmimet e naftës bruto dhe produkteve të naftës janë rritur ndjeshëm në mbarë botën, duke ushtruar presion mbi familjet dhe bizneset evropiane.

“Faturat e karburanteve në BE po rriten me shpejtësi”, tha ai, duke shtuar se tregu global i naftës dizel pritet të mbetet i shtrënguar deri në vitin 2027, duke i mbajtur çmimet të larta.

Jorgensen tha se rafineritë evropiane kanë luajtur një rol jetik në garantimin e sigurisë së furnizimit, përfshirë atë me karburant për avionë, pavarësisht kushteve sfiduese të tregut.

Ai vuri në dukje se rreth një e katërta e rafinerive në BE janë mbyllur gjatë dy dekadave të fundit, duke ulur kapacitetet e përpunimit të naftës në Evropë me rreth 10 për qind, ndërsa procesi i shitjes së aseteve është përshpejtuar në mbarë kontinentin.

“Por, kjo krizë është një thirrje për t’u zgjuar: Ne duhet ta kundërshtojmë këtë prirje dhe të sigurohemi që të kemi kapacitete të përshtatshme dhe fleksibile për përpunimin e naftës në Evropë, sot dhe në të ardhmen”, tha ai.

Jorgensen theksoi se kapacitetet e përpunimit të naftës nuk janë vetëm çështje e konkurrueshmërisë ekonomike, por edhe e sigurisë, duke nënvizuar nevojën për furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me karburante për qytetarët, bizneset dhe sektorin e mbrojtjes.

Ai tha se Komisioni do t’i vazhdojë diskutimet teknike me sektorin dhe do të mblidhet sërish në fillim të vitit të ardhshëm për ta vlerësuar përparimin.

“Ne do të punojmë për të rritur prodhimin nga rafineritë në Evropë. Industria ka paraqitur disa propozime që duhet t’i vlerësojmë”, shtoi ai.

Jorgensen tha se BE-ja do ta shqyrtojë gjithashtu perspektivën afatgjatë të sektorit të përpunimit të naftës, ndërsa blloku synon uljen e emetimeve të karbonit, duke u përqendruar në zgjerimin e prodhimit të biokarburanteve dhe karburanteve sintetike të prodhuara me energji elektrike (e-karburante).

“Prodhimi i karburanteve të lëngshme të rinovueshme tashmë ka kompensuar një pjesë të rënies së kapaciteteve të rafinerive në Evropë. Potenciali është i konsiderueshëm”, tha ai.