Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka deklaruar se Evropa nuk mund të jetë e plotë pa një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe demokratik, ndërsa siguria evropiane nuk mund të ndahet nga siguria e rajonit.
Sipas një njoftimi nga kabineti i presidentes, në një panel diskutimi në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, me temën “Mbrojtja e vijës së frontit: Sovraniteti në epokën e kërcënimeve hibride”, Siljanovska-Davkova theksoi se bota po kalon një periudhë transformimi të thellë, në të cilën modelet e vjetra janë shteruar, ndërsa të rejat ende nuk janë formësuar.
Duke folur për perspektivën evropiane të rajonit, presidentja tha se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë periferi e Evropës, por pjesë e saj e natyrshme gjeografike, historike dhe kulturore.
Siljanovska-Davkova theksoi se vendi i saj ka statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian prej 21 vitesh dhe se ka marrë 17 raporte pozitive, por pavarësisht kësaj, ende nuk i ka filluar negociatat e anëtarësimit.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian, në vend që vetëm t’u kërkojë vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë më rezistente, duhet të forcojë qëndrueshmërinë e tyre duke përshpejtuar procesin e integrimit të tyre në BE.
Presidentja paralajmëroi se në botën e sotme, të karakterizuar nga inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe format e reja të kërcënimeve hibride, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm qëndrueshmëria ndaj kërcënimeve të jashtme, por edhe forcimi i demokracisë dhe institucioneve nga brenda.
Në panel diskutuan gjithashtu presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.























