| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin për dërgimin e trupave në Gaza
Sipas projektligjit, numri maksimal i personelit shqiptar që do të marrë pjesë në këtë operacion do të jetë 40.
Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin për dërgimin e trupave në Gaza
Kuvendi i Shqipërisë miraton projektligjin për dërgimin e trupave në Gaza

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projektligjin "Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza".

Projektligji u votua në seancën e sotme parlamentare pas një seance me tensione dhe debate, me 106 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Projektligji u miratua pa diskutime, pasi deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike bllokuan foltoren, ndërsa seanca e sotme u ndërpre disa herë nga kryeparlamentari Niko Peleshi.

Sipas projektligjit, numri maksimal i personelit shqiptar që do të marrë pjesë në këtë operacion do të jetë 40.

Projektligji parashikon që misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Forcës Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza, do të jetë mbështetja e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtja e personelit, objekteve dhe infrastrukturës së misionit, mbështetja e operacioneve humanitare, monitorimi dhe raportimi i situatës së sigurisë si dhe detyra të tjera në përputhje me mandatin e misionit, në kuadër të Bordit të Paqes.

Ligji, i propozuar nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, do të dekretohet edhe nga presidenti Bajram Begaj dhe sipas autoriteteve shqiptare do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë.

Tensione dhe debate për çështjen ndaj ish-drejtoreshës së ShISh-it

Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotme është përfshirë nga debatet dhe tensionet në lidhje me çështjen ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (ShISh), Vlora Hyseni, e cila u pezullua dhe shkarkua nga detyra.

Gjatë seancës së sotme, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar çështjen mbi ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, si "një çështje me pasoja të rënda për sigurinë kombëtare".

Deputetët e opozitës kërkuan që në seancën sotme të diskutohej për çështjen në fjalë, gjithashtu kërkuan edhe pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama.

Ndërkohë, Rama ndodhet në ShBA në kudër të punimeve të Asamblesë së Përgjitshshme të OKB-së.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) konfirmoi më 22 shtator zyrtarisht se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur ndaj Hysenit më datë 21 shtator masat "arrest në shtëpi" dhe "pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik".

Sipas SPAK-ut, Hyseni është e dyshuar për veprat penale "Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete" dhe "Përkrahje e autorit të krimit".

Pas këtyre zhvillimeve Presidenti Bajram Begaj vendosi shkarkimin nga detyra të Vlora Hysenit.

Raportohet se hetimet lidhen me implikimet për personat e tjerë të hetuar më parë për dosjen e njohur si "Çështja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit".

Në GJKKO sot po mbahet seanca për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Hysenit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë