| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kryediplomati francez: Politikat e qeverisë izraelite po e rrezikojnë sigurinë e vendit
Barrot tha se kjo pasqyrohet në atë që ai e përshkroi si “refuzim” të autoriteteve izraelite për të përmbushur përgjegjësitë e tyre sipas planit të paqes të Trumpit, si dhe në strategjinë e zonave tampon që po ndiqet në Liban dhe Siri.
Kryediplomati francez: Politikat e qeverisë izraelite po e rrezikojnë sigurinë e vendit
Kryediplomati francez: Politikat e qeverisë izraelite po e rrezikojnë sigurinë e vendit/ AA

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, ka deklaruar se politikat e ndjekura nga qeveria izraelite po rrezikojnë sigurinë e vendit, duke përmendur atë që ai e përshkroi si refuzim të Izraelit për të përmbushur përgjegjësitë e tij sipas planit të paqes për Gazën të presidentit të ShBA-së, Donald Trump, si dhe zhvillimet në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Qëndrimi ynë është i njohur. Përkushtimi ynë ndaj ekzistencës dhe sigurisë së Izraelit është i palëkundur. Por politika e ndjekur nga qeveria aktuale e Shtetit të Izraelit po rrezikon sigurinë e Izraelit”, tha Barrot.

Barrot tha se kjo pasqyrohet në atë që ai e përshkroi si “refuzim” të autoriteteve izraelite për të përmbushur përgjegjësitë e tyre sipas planit të paqes të Trumpit, si dhe në strategjinë e zonave tampon që po ndiqet në Liban dhe Siri.

Ai iu referua gjithashtu Bregut Perëndimor të pushtuar, ku tha se kishte pasur “një shpërthim të dhunës” nga kolonët ekstremistë kundër palestinezëve dhe një “përshpejtim të paprecedentë” të aktivitetit të paligjshëm të vendbanimeve.

“Kjo dobëson perspektivën për të cilën është angazhuar komuniteti ndërkombëtar, që është zgjidhja me dy shtete. Por kjo paraqet gjithashtu një rrezik sigurie për Izraelin dhe popullsinë izraelite. Kjo është diçka që nuk mund ta pranojmë”, tha Barrot.

- Franca e gatshme të dislokojë mision në Ngushticën e Hormuzit

Më tej, Barrot gjithashtu tha se Franca ka përgatitur një mision ndërkombëtar për Ngushticën e Hormuzit, i cili është gati të dislokohet sapo kushtet ta lejojnë, me synimin për të ndihmuar në rikthimin sa më të shpejtë të transportit detar përmes kësaj rruge strategjike ujore.

Ai tha se Parisi dëshiron që rifillimi i trafikut detar të përkthehej sa më shpejt në ulje të çmimeve të karburantit për konsumatorët francezë.

Barrot tha se Franca po punonte gjithashtu me partnerët evropian dhe rajonal për të zhvilluar rrugë alternative tregtare, të cilat do të ishin më pak të cenueshme ndaj konflikteve të ngjashme në të ardhmen.

Duke iu referuar Detit të Kuq dhe Ngushticës Bab al-Mandab, ai tha se Franca do të vazhdojë të jetë e përfshirë përmes misionit detar të BE-së për sigurinë Aspides, i cili sipas tij, ka mbrojtur qindra anije franceze nga sulmet e Huthive.

Ministri francez theksoi se përshkallëzimi i tensioneve mes Huthive dhe Arabisë Saudite ka pasur gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm në çmimet e karburantit.