Nga historia 12 mijë vjeçare e Gobeklitepes deri tek avioni më i fundit pa pilot i Türkiyes, “TEKNOFEST Juglindje” (TEKNOFEST Southeast) vazhdoi sot në qytetin Sanliurfa të Türkiyes, duke u ofruar vizitorëve një udhëtim nëpër të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e teknologjisë.
Festivali më i madh në botë i aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë hyri në ditën e dytë në Aeroportin GAP të Sanliurfës me demonstrime ajrore, punëtori shkencore, ekspozita gjithëpërfshirëse dhe aktivitete të dizajnuara posaçërisht për të frymëzuar vizitorët e rinj.
Anadolu po shërben si partneri global i komunikimit i ngjarjes. Festivali organizohet nën udhëheqjen e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë të Türkiyes dhe Fondacionit të Ekipit të Teknologjisë Turke, ose Fondacionit T3, me përfshirjen e kompanisë së mbrojtjes STM.
Ndër atraksionet më të dallueshme është Zona e Përvojës në Gobeklitepe, ku vizitorët udhëtojnë nëpër afërsisht 12 mileniume (mijëvjeçarë) në vetëm tre minuta. Duke përdorur ekrane 360 gradë dhe një gur replikë në këmbë, instalacioni eksploron pyetjen “Ku filloi gjithçka?” ndërsa lidh teknologjitë e zhvilluara nga qytetërimet e lashta me përparimin bashkëkohor të Türkiyes.
Përvoja e paraqet Gobeklitepen, shpesh të përshkruar si “pika zero e historisë”, jo thjesht si një vend arkeologjik, por si pikënisje e një historie të vazhdueshme të shpikjes njerëzore.
“Ne kemi një ekran që shtrihet nga e kaluara në të ardhmen, me një nga avionët e TEKNOFEST në qendër të tij”, tha koordinatori Alper Aslan duke shtuar se “Ne fillojmë në të kaluarën dhe shpjegojmë zhvillimin e teknologjive të mbrojtjes deri në të tashmen”.
Vizitorja Elanur Yasar tha se prezantimi i lejoi asaj të shihte vendin e lashtë nga një perspektivë e ndryshme. “Në vetë Gobeklitepen, ne përjetojmë historinë në vendosjen e saj origjinale. Këtu, pamë Gobeklitepen të kombinuar me teknologjinë dhe qytetërimin”, tha ajo.
Përtej instalacionit, fëmijë nga Sanliurfa dhe provincat përreth u mblodhën rreth avionëve të prodhuar në vend, duke përfshirë avionin luftarak pa pilot KIZILELMA, avionët luftarakë KAAN dhe dronin AKINCI.
Për disa, kjo është mundësia e tyre e parë për të parë avionë të tillë nga afër.
“Isha shumë e emocionuar. Kjo është hera ime e parë që vij në një vend si ky dhe isha shumë e lumtur që pashë një avion nga afër”, tha vizitorja e re Amine Abdulvahab duke vënë theksin: “Shpresoj që kur të rritem, të mund të punoj në diçka të tillë”.
Ebubekir Selale tha se të parit të avionëve si në tokë ashtu edhe në qiell ia thelloi interesin për aviacionin ndërsa Elif Yildirim falënderoi ata që e sollën festivalin në qytet.
Ambasadori japonez në Türkiye, Masami Tamura, i cili vizitoi ambientet e festivalit, vlerësoi si përparimin e teknologjisë mbrojtëse të Türkiyes ashtu edhe rolin edukativ të TEKNOFEST.
“I gjej përparimet e Türkiyes në teknologjitë mbrojtëse shumë mbresëlënëse. Jam shumë i befasuar nga një ngjarje kaq e shkëlqyer”, tha Tamura për Anadolu duke shtuar se Japonia nuk organizon një ngjarje të krahasueshme në të njëjtën shkallë.
Ai tha se prezantimi i shkencës dhe teknologjisë mbrojtëse përmes aktiviteteve argëtuese ishte veçanërisht i vlefshëm për fëmijët dhe parashikoi një bashkëpunim më të thellë turko-japonez. “Bashkëpunimi midis Türkiyes dhe Japonisë është gjithashtu i rëndësishëm për paqen botërore”, tha ai ndërsa më tej vuri në dukje se “Japonezët e duan Türkiyen dhe dua ta theksoj veçanërisht këtë këtu”.
Programi i sotëm përfshin gjithashtu një tjetër performancë nga ekipi akrobatik Turk Stars, së bashku me shfaqje me helikopterë ATAK, HURKUS, CEZERI, ANKA, dronë Bayraktar TB2 dhe TB3 dhe AKINCI.
Vizitorët gjithashtu mund të eksplorojnë simulatorët, një planetarium, shfaqje shkencore, punëtori edukative dhe mjete ajrore, tokësore dhe detare kombëtare. Dita do të përfundojë me një koncert nga këngëtari turk Semicenk.
“TEKNOFEST Juglindje” do të mbetet i hapur deri më 4 tetor.





















