| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, myftiu Tërnava në urimin e Bajramit të Kurbanit bën thirrje për fushatë politike me dinjitet
Tërnava tha se pavarësisht rezultatit, Kosova ka nevojë për unitet, bashkëpunim dhe institucione të forta që i shërbejnë popullit dhe e mbrojnë të ardhmen e vendit.
Kosovë, myftiu Tërnava në urimin e Bajramit të Kurbanit bën thirrje për fushatë politike me dinjitet
Kosovë, myftiu Tërnava në urimin e Bajramit të Kurbanit bën thirrje për fushatë politike me dinjitet dhe maturi / AA

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në urimin e tij drejtuar besimtarëve të besimit Islam për festën e Kurban Bajramit ka kërkuar nga partitë politike që të zhvillojnë fushatë me dinjitet dhe maturi për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, raporton Anadolu.

Myftiu Tërnava tha se fushata duhet të jetë larg gjuhës së përçarjes dhe urrejtjes derisa u bëri thirrje të gjitha forcave politike të rrinë larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes.

“Ju bëj thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt, larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes. Le të garohet me ide, vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut, sepse sovrani është qytetari, dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik”, theksoi ai.

Tërnava tha se pavarësisht rezultatit, Kosova ka nevojë për unitet, bashkëpunim dhe institucione të forta që i shërbejnë popullit dhe mbrojnë të ardhmen e vendit.

Myftiu tha se luftërat, konfliktet dhe padrejtësitë po vazhdojnë të marrin jetë të pafajshme çdo ditë në botë dhe gjaku i fëmijëve, grave, pleqve dhe civilëve të pambrojtur po derdhet për interesa politike, ekonomike dhe gjeostrategjike, duke e tronditur rëndë ndërgjegjen njerëzore.

“Andaj, në këtë natë feste e reflektimi, mesazhi i Bajramit bëhet edhe më i fuqishëm: Kur ne zgjedhim paqen para urrejtjes, dialogun para konfliktit dhe humanizmin para interesave që sjellin shkatërrim. Sakrifica dhe solidariteti që simbolizon kjo festë na ftojnë të mos heshtim përballë padrejtësisë, por të lutemi dhe të angazhohemi për një botë më të drejtë, më njerëzore dhe më të sigurt për të gjithë”, tha Tërnava.

Ai shtoi se ruajtja e vlerave morale, kultivimi i ndërgjegjes, edukimi shpirtëror, përgjegjësia individuale dhe shoqërore, paqja e brendshme, solidariteti njerëzor, respekti reciprok dhe përkushtimi ndaj së drejtës përbëjnë virtyte themelore që duhet ta karakterizojnë besimtarin e devotshëm dhe të drejtë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë