| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Arrestohet ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sejdini është ndaluar nga zyrtarë policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë si dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup
Arrestohet ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini
Arrestohet ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini / TRT Balkan

Ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muamed Sejdini është arrestuar në dyshimin për kryerje të veprave penale përvetësim dhe keqpërdorim. 

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sejdini është ndaluar nga zyrtarë policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë si dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.

Nga Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim dhe se më shumë informacione do të bëhen publike pas përfundimit të veprimeve procedurale.

“Zyrtarët policorë kanë privuar nga liria një person për shkak të veprimeve që ngjallin dyshime për kryerjen e veprave penale përvetësim dhe keqpërdorim. Veprimet po vazhdojnë me urdhër të prokurorit publik dhe detaje të mëtejshme do të publikohen pas përfundimit të tyre”, njoftoi Prokuroria.

Sejdini ka qenë në krye të FFM-së për dy mandate, nga viti 2019 deri në vitin 2025. Në shkurt të këtij viti, ai u pezullua për dy vjet nga FFM-ja për shkak të mashtrimit dhe keqpërdorimit të autorizimeve.

Komisioni disiplinor i FFM-së vuri re se Sejdini, duke keqpërdorur pozitën e tij, kishte nënshkruar kontratë me kusht të përfshirë për pagesë paraprake prej 20 për qind, që nuk ishte pjesë e ofertës së miratuar, për ndërtimin e një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër. Avansi ishte paguar pa garanci bankare dhe pa autorizimin e duhur.

Sipas komisionit, me këtë veprim Sejdini kishte mashtruar Bordin Drejtues të Federatës, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale institucionit, për çka edhe iu shqiptua masa disiplinore përkatëse.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë