| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Orkat shihen duke copëtuar peshq dielli gjigantë në një sjellje të mundshme gjuetie si “lojë”
Gjatë njërit prej incidenteve, një orkë femër u pa duke mbajtur nga bishti një peshk dielli të ngordhur të llojit me bisht të mprehtë, ndërsa një mashkull u përplas me shpejtësi të madhe drejt tij.
Orkat shihen duke copëtuar peshq dielli gjigantë në një sjellje të mundshme gjuetie si “lojë”
Orkat shihen duke copëtuar peshq dielli gjigantë në një sjellje të mundshme gjuetie si “lojë”/ AA

Një grup orkash është dokumentuar duke goditur me forcë peshq dielli gjigantë derisa i copëtonte, duke u ofruar studiuesve një vështrim të rrallë mbi atë që mund të jetë një formë loje, përgatitjeje të ushqimit ose stërvitjeje mes këtyre grabitqarëve me inteligjencë të lartë.

Kjo sjellje u përshkrua në një studim të botuar në revistën shkencore të rishikuar nga kolegët Frontiers in Ethology. Hulumtimi analizoi dy raste të regjistruara në Gjirin e Kalifornisë në Meksikë.

Gjatë njërit prej incidenteve, një orkë femër u pa duke mbajtur nga bishti një peshk dielli të ngordhur të llojit me bisht të mprehtë, ndërsa një mashkull u përplas me shpejtësi të madhe drejt tij. Femra e lëshoi peshkun pak para goditjes, e cila copëtoi një pjesë të trupit të tij dhe prodhoi një zhurmë të fortë që mund të dëgjohej edhe nën ujë.

“Ishte kaotike”, tha Erick Higuera, biolog detar në Conexiones Terramar, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes. Pas shqyrtimit të pamjeve filmike, ai arriti në përfundimin se peshku ishte zgjedhur qëllimisht si objektiv.

Studimi e përshkruan këtë manovër si një strategji të mundshme të koordinuar dhe bashkëpunuese të ushqyerjes.

Orkat njihen për zhvillimin e metodave të sofistikuara të gjuetisë, duke përfshirë sulme të përbashkëta ndaj fokave, peshkaqenëve dhe kafshëve të tjera detare. Popullata të ndryshme shpesh përdorin teknika të specializuara që përcillen nga një brez te tjetri.

Vëzhgimet më të fundit përfshijnë peshkun e diellit me bisht të mbrehtë, një nga pesë llojet e njohura të peshqve diell oqeanik dhe i vetmi që studiuesit kanë dokumentuar të copëtohet nga goditjet e orkave.

Peshqit diell janë peshqit kockor më të rëndë në botë dhe mund të arrijnë disa metra gjatësi e të peshojnë mbi një ton. Pavarësisht madhësisë së tyre të jashtëzakonshme, ata lëvizin ngadalë dhe kanë pak mundësi për t’u mbrojtur nga balenat vrasëse.

Peshku i diellit me bisht të mprehtë ka gjithashtu një zgjatim në formë bishti të quajtur clavus, i cili mund t’u ofrojë orkave një pikë të përshtatshme për ta kapur, ndërsa një anëtar tjetër i grupit përgatitet ta godasë.

Pasi peshku u copëtua, një orkë e re nisi menjëherë të hante copat më të vogla. Kjo ngre mundësinë që orkat e rritura po e ndanin trupin në pjesë më të vogla për ta bërë më të lehtë ushqimin për individët e rinj.

Studiuesit thanë se kjo sjellje mund të përfaqësojë një formë investimi prindëror. Megjithatë, ata nuk përjashtojnë shpjegime të tjera, përfshirë ndërveprimin shoqëror dhe lojën.

Një sjellje e tillë mund të forcojë lidhjet brenda grupit, ndërsa u jep mundësi orkave të reja të vëzhgojnë dhe të praktikojnë komunikimin, koordinimin dhe saktësinë e nevojshme gjatë gjuetive të vërteta.

Peshqit diell, për shkak të lëvizjes së tyre të ngadaltë, mund të jenë objektiva ideale për stërvitje, pasi paraqesin shumë pak rrezik për orkat.

“Ata ofrojnë një mundësi me rrezik të ulët për këto orka të reja, që të praktikojnë saktësinë e goditjeve dhe të forcojnë lidhjet shoqërore”, tha Higuera.