| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, dënohet me dy vjet burgim i akuzuari që sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe policisë në veri
Sllobodan Radenkoviq u dënua pas akuzave për sulm ndaj Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Policisë së Kosovës në veri në vitin 2023.
Kosovë, dënohet me dy vjet burgim i akuzuari që sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe policisë në veri
Kosovë, dënohet me dy vjet burgim i akuzuari që sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe policisë në veri / Reuters

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dy vjet burgim për sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, Sllobodan Radenkoviqin.

Radenkoviq u dënua pas akuzave për sulm ndaj Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Policisë së Kosovës në veri në vitin 2023.

I akuzuari kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranim të fajësisë për “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”. Prokurori special Bekim Kodraliu tha se marrëveshja me të pandehurin është arritur pa presion.

Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023 nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin e objektit të Komunës së Zveçanit, i pandehuri, në bashkëkryerje dhe koordinim me persona të tjerë, dyshohet se ka marrë pjesë aktive në një grup që ka ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës KFOR dhe Policisë së Kosovës.

Në kohëzgjatjen prej dy vjetësh dënim me burgim për veprën “sulm ndaj personit zyrtar”, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 janari 2026 ndërsa për veprën tjetër penale të huliganizmit iu shqiptua dënim prej gjashtë muajsh, në mundësi prej zëvendësimi në dënim me gjobë prej 15 mijë euro dhe masa e paraburgimit nuk do t’i ndërpritet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë