| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Kapitull i ri në marrëdhëniet Meksikë-BE, modernizojnë marrëveshjen globale
Modernizimi i marrëveshjes hap rrugën për investime, qasje në tregjet ndërkombëtare dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë.
Kapitull i ri në marrëdhëniet Meksikë-BE, modernizojnë marrëveshjen globale
Kapitull i ri në marrëdhëniet Meksikë-BE, modernizojnë marrëveshjen globale / AA

Qeveria e Meksikës, së bashku me Komisionin Evropian, festuan modernizimin e një marrëveshjeje që synon integrimin e ekonomive të tyre dhe forcimin e marrëdhënieve të thella në skenën globale, duke shënuar një epokë të re mes dy palëve.

Qeveria e presidentes Claudia Sheinbaum mirëpriti një delegacion të Bashkimit Evropian të udhëhequr nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, 26 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë globale mes palëve.

Sheinbaum, së bashku me ministrin e Jashtëm Roberto Velasco Álvarez dhe ministrin e Ekonomisë Marcelo Ebrard, përshëndetën marrëveshjen ambicioze sipas së cilës do të eliminohen 99 për qind e tarifave doganore për produktet meksikane, krahas investimeve shumëmilionëshe evropiane.

“Është një marrëveshje vërtet globale që në fillim, sepse përfshin gjithashtu dialogun politik, bashkëpunimin, investimet dhe, natyrisht, tregtinë. Sot po e ngremë këtë platformë të gjerë në një nivel të ri”, tha von der Leyen gjatë një ceremonie në Pallatin Kombëtar.

Përveç kësaj, strategjia investuese e Bashkimit Evropian Global Gateway do të mobilizojë 5 miliardë euro në Meksikë për projekte të reja të prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, si dhe për iniciativa të mobilitetit të pastër.

“Forca e asaj që po e nënshkruajmë sot, përditësimi dhe modernizimi i Traktatit dhe Marrëveshjes Globale, bazohet në një vizion të prosperitetit të përbashkët, punës së përbashkët dhe zhvillimit të përbashkët. Dhe ashtu si Meksika ka një marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara, ne kemi gjithashtu një marrëdhënie me Bashkimin Evropian dhe duam t’i forcojmë të dyja këto marrëdhënie”, tha Sheinbaum.

Pjesë e marrëveshjes është edhe forcimi i bashkëpunimit në strategjitë e sigurisë dhe luftën kundër krimit ndërkombëtar.

Përpara ceremonisë dhe nënshkrimit të marrëveshjeve, ministri meksikan i Sigurisë Omar García Harfuch u takua me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë